Sherr për një targë motori, 10 vjet më pas tre shqiptarë marrin dënime të rënda

Një sherr i dhjetë viteve më parë, mbyllur me një plagosje me thikë, u ka kushtuar shtrenjtë tre shqiptarëve, banorë në Tolentino, teksa kanë marrë dënime të rënda nga drejtësia italiane.

Njëri prej tyre është dënuar me 10 vjet burg, dy të tjerët me nga 9 vjet, të akuzuar dhe shpallur fajtorë për tentativë vrasjeje.

Ishte një sherr banal të rinjsh, për një targë motori, por që përfundoi me një plagosje me thikë, me autor babanë e njërit prej të dënuarve, i cili nuk jeton më.

Ngjarja ka ndodhur më 11 mars 2010, rreth orës 7 të mbrëmjes, para barit Enals në rrugën Vittorio Veneto në Tolentino.

Aty shpërtheu grindja midis një 22-vjeçari dhe shqiptarit M.M., në atë kohë 19 vjeç. Të pranishëm ishin edhe dy shqiptarët e tjerë të dënuar, Z.S. dhe E.K., të dy 20-vjeçarë në atë kohë.  

Në kulmin e debatit, ndërhyn babai i M. M., i cili nxori një thikë dhe e goditi disa herë në anën e majtë të gjoksit 22-vjeçarin. Viktima arriti të largohej, fillimisht pas një makine e më pas brenda një bari, i ndjekur nga M. M.

I ati i këtij të fundit ndërkohë ka vdekur, ndërsa për të birin e dy shokët e tij vazhdoi procesi.

Prokuroria akuzoi M.M. për vrasje në tentativë, pasi vetëm një ndërhyrje kirurgjikale i shpëtoi jetën 22-vjeçarit, ndërkohë që ata kishin debatuar edhe më parë për kthimin e një targe motori.

Ditën e ngjarjes, para sherrit, 19-vjeçari i kishte kërkuar baristit të Enals t’i ngrinte zërin muzikës, ndërsa pas plagosjes me thikë e ndoqi viktimën deri në hyrjen e barit ku ai u fut, duke i ulëritur: Mos ma ngri zërin mua!

Për dy të tjerët, akuza shpjegon se edhe ata e kishin ndjekur viktimën dhe njëri prej tyre e kishte gjuajtur me sëpatë nga larg, duke i akuzuar të tre se kishin vazhduar aktin kriminal të babait të M.M.

Sot trupi gjykues mori vendimin, duke dënuar me 10 vjet M.M., tashmë 29-vjeçar, dhe me 9 vjet Z.S. dhe E.K., tani 30 vjeç. U vendos edhe një shpërblim 12 900 euro për personin e dëmtuar.

Avokatja e shqiptarëve e cilësoi dënimin si një skandal juridik, duke thënë se autor ishte babai i M.M., që ndërhyri me thikë në një grindje midis të rinjsh, ndërkohë që ata nuk e dinin se ai kishte thikë me vete dhe do të kryente një veprim të tillë.

‘I vetmi faj i M. M., që nuk e pa goditjen me thikë, ishte ndjekja nga pas e viktimës’, tha avokatja.