Von der Leyen: Vendet e BE mund ta marrin vaksinën e COVID-19 nga prilli

Bruksel - Dorëzimi i vaksinave të mundshme të COVID-19 në vendet e Bashkimit Evropian mund të fillojë seriozisht në prill, tha të mërkurën kreu i Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

"Sasitë e mëdha të furnizimeve pritet të fillojnë në prill," tha von der Leyen në një konferencë për shtyp, duke shtuar se në rastin më të mirë kompanitë mund të shpërndanin deri në 50 milionë vaksina në muaj në BE.

Komisioni po propozon një seri masash të reja për të luftuar pandeminë, duke thënë se rritja e re e infeksioneve në kontinent është "alarmante".

Evropa përsëri duket se do të jetë epiqendra e pandemisë në të gjithë botën. Belgjika është një pikë e nxehtë dhe shumë vende po përjetojnë norma rekord ditore të infeksionit.

Virusi po përhapet me shpejtësi në Hollandë, në pjesën më të madhe të Spanjës dhe Republikës Çeke dhe Gjermania dhe Franca po përgatiten për bllokime të reja.