Tre fytyrat e Ramës; me bosët e futbollit, gratë dhe fëmijët në Siri dhe varfanjakët e Ballshit

Edi Rama iu është përgjigjur sërish me arrogancë grevistëve naftëtarë, të cilët po bëjnë muajin (me dy turne) që janë futur në një grevë migjeniane urie.

Kërkojnë paratë e djersës së punës së tyre, ndërkohë që jetojnë në një nga zonat më të varfra të Shqipërisë, ku mundësia e punësimit është më së shumti vetëm sektori i naftës.

Këtë të mërkurë, i njëjti kryeministër që një ditë më parë u shfaq i mallëngjyer dhe si “hero” duke marrë personalisht “peng” familjet dhe fëmijët që kishin mbetur në një kamp të ISIS në Siri, për gratë dhe fëmijë shqiptarë që po përpëliten në Ballsh, shfaqi natyrën e tij të vërtetë (kur nuk bën propagandë) anti-humane dhe arrogante.

“Të dashura greviste të Ballshit, është e drejta juaj të mos dilni nga greva, por është e pamundur të ulemi bashkë me presione e ultimatume! Jam gati të vij tek ju sapo të mbyllni grevën e të flasim si do mundemi t’ju ndihmojmë për këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria. Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë edhe pse greva juaj nuk ndihmon as për këtë! Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s’pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin!”, iu shkruante Edi Rama sot grave në grevë, të cilat po përfundojnë një nga një në urgjencat e spitaleve.

Edi Rama, që shkruan se nuk pranon presione dhe ultimatum nga familjet e varfra të naftëtarëve, të cilët janë katandisur në këtë gjendje sepse po ky kryeministër vazhdoi lojën e shtrydhjes dhe vjeljes së Rafinerisë së Ballshit, vetëm pak ditë më parë u shfaq në krah të presidentit të Federatës së Shqiptare të Futbollit, Agron Duka.

Edhe për protestën dhe bojkotin e  organizuar nga “bosët” e futbollit elitar shqiptarë, ai kishte deklaruar më herët, se nuk pranonte të bisedonte përderisa ata vazhdonin me ultimatum dhe protesta.

Por “bosët” janë bosë dhe jo ditëzinj të varfër dhe të këputur si naftëtarët e Ballshit, që po luftojnë vetëm për bukën e mohuar dhe të nxjerrë me djers të fëmijëve të tyre!

Me këta bosë-milionerë që janë edhe president klubesh e miq të vjetër e të rinj të tij, Rama negocioi dhe po vazhdon, edhe pse kampionati i futbollit nuk po nis. Kurse me gratë e këputura dhe “të mbaruara” të rafinerisë së naftës në Ballsh, bën të fortin dhe arrogantin.

Ditën e sotme iu tha sërish, se po negocion që të gjejë “investitorë seriozë” për atë biznes, të cilin e katandisi në këtë ditë po ai vetë, kur ju prezantoi mikun e tij “investitor serioz” në vitin 2017.

Ky është Edi Rama: I dhembshur dhe “hero”, shoqëruar me një spektakël të ndritshëm propagande për gratë e fëmijët shqiptar në kampet e Sirisë; negociues dhe i hapur me kërkesat e bosëve të futbollit, por i egër dhe i palëkundur nga pozicioni i tij me burrat, gratë dhe fëmijët e naftëtarëve që në fund të fundit kërkojnë nga shteti veçse t'i japë një zgjidhje rrogave, që i kanë fituar me djersë dhe punë të rëndë.