Pylli në Llogara...

Vdiq dhe Zeman Lalaj. Atje në Vlorën e bukur. Fill ca muaj pasi mbylli sytë e shoqja. Mbeti vetëm në qytetin e tij. Fëmijët larg prej vitesh. Jetën e pati mbushur me punë, ndershmëri, korrektesë.

Inxhinier i diplomuar jashtë vendit, nis punën te baza e Pashalimanit, vite e vite në nëndetëse dhe më pas në telekomunikacion.

Karakter i butë, njeri i drejtë, pasionant pas natyrës, ndërmori kur doli në pension një projekt që moshatarët e tij as që e fusnin te planet e tyre. Majë Llogarasë mori me qira ca dynym tokë dhe mbolli pisha dhe bredha.

Krijoi një fidanishte të bukur sa pylli pranë u gëzua nga ata ‘fëmijë’ kaq të shëndetshëm.

Më pas nisi kalvari i Zemanit. Trokiste zyrë më zyrë që në autostrada të mbilleshin fidanët e tij, që në pjerrina ku gërryente uji ta mbronin bredhat e tij, që në bregdet të vendoseshin pishat e tij që toka mos rrëshqiste drejt ujit, që maleve të thata të hijeshonin filizët e tij.

Por mundi i shkonte huq. Jo se ai donte të pasurohej, jo se i shiste shtrenjtë. Se një fidan e jepte dhe për tre euro, por sepse njerëzit e qeverisë bënin tendera dhe blinin bimë nga 200-300 euro copa. Kishin leverdi në përqindjet që merrnin.

U duheshin buxhete të mëdha se do pushonin në Spanjë, Kubë, Egjipt, Maltë. Se do arsimonin fëmijët e tyre në Londër, Neë York, Romë. Ndërsa Zemani merrte thuajse çdo ditë furgonin nga Vlora në Tirane dhe kthim.

Kalvar i lodhshëm, aq më tepër për një të moshuar.

Këto ecejake e lodhën dhe e mërzitën njeriun e mirë. Askund nuk e qasnin edhe pse blinin pa fund fidanë nga jashtë vendit. U mbollën në letra plot fusha e zona. Me çmime të kripura, por nga fidanishtja e Llogarasë asnjë copë.

Pasi pa se muri i korrupsionit nuk çahej, Zeman zemër poeti i dhuroi. Po kujt? As si dhuratë nuk ia pranonte shteti ynë maletharrë e kodrazhurritur. Askush nuk merrte mundimin t’i tërhiqte.

Bile administrata kishte bezdi nga bujaria e tij. Atëherë u lodh. E braktisi fidanishten, i la lastarët në krah të pishave të Llogarasë dhe atë që nuk ia pranuan zyrat e futi në gji natyra aty lart, në 1500 metra mbi det.

Zemani iku nga sëmundja thanë mjekët. Unë e vërtetoj se ca vite ia hëngri qeveria. Ky njeri shembull plot dritë donte të falte një pyll. Njerëzit e betonit jo vetëm nuk e falënderuan, por e përbuzën.

Por ato mijëra bredha që mbolli Zemani, sa herë fryn erë deti i dërgojnë plot urime drejt varrezave në Babicë, babait të tyre, atij që si mjek materniteti, lindi e rriti kaq ‘fëmijë’ të shëndetshëm.

Fjalën Zeman e shqiptojnë me gaz dhe mbushur plot oksigjen bredhat dhe pishat e njeriut unik, të atij që për fat rri i varrosur poshtë një pishe.

Tamam sikur fle në pasionin e tij...