Plani 4-vjeçar i Edi Ramës për të kapur BKH-në dhe pse i duhet kontrolli me çdo kusht

Nuk përbën ndonjë surprizë skandali që ka plasur në lidhje me përzgjedhjen dhe rekrutimin e 60 punonjësve-hetues, të cilët do të përbëjnë trupën e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Këtë të hënë është depozituar një padi në Gjykatën Administrative, por sipas burimeve të “Syri.net” në vazhdimin pritet një furtunë e vërtetë denoncimesh për skemën e kapjes së këtij institucioni, nga ana e pushtetit dhe mazhorancës.

Po përse i duhet Edi Ramës një kontroll i plotë mbi BKH-në, e cila do të jetë edhe furnizuesja dhe leva kryesore e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme në vendosjen e drejtësisë, veçanërisht për zyrtarët e lartë të korruptuar?

Një nga detyrat kryesore dhe kyçe të përcaktuar në ligjin për BKH-në është:

“Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) do të jetë strukturë e posaçme për hetimin e korrupsionit të funksionarëve të lartë publikë, përfshi të zgjedhurit vendorë”.

Pra pikërisht “pika delikate” e 8 viteve të pushtetit të Ramës: Korrupsion i organizuar me pasojë zhdukjen e miliarda eurove nëpërmjet koncesioneve, PPP-ve dhe mijëra tenderime abuzivë!

Ndaj historia e kapjes së kësaj strukture të rëndësishme brenda sistemit të ri të drejtësisë nga ana e mazhorancës, nuk është e re. Sot vetëm po i del tymi një plani dhe synimi, i cili ka katër vite që është në veprim.

Shumëkush ndoshta ka harruar, por kujtojmë se në fillim të vitin 2016 u hap një debat i madh pikërisht për mënyrën, se si do të ngrihej dhe do të funksiononte  BKH.

Në 10 shkurt të atij viti, qeveria Rama, miratoi një draft-ligj për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ishte një tentativë e hapur që kjo strukturë të ishte në varësi të pushtetit dhe akoma më keq,, të ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të cilët tashmë dihet se kanë qenë dhe janë ushtarët më të bindur të Edi Ramës.

Në atë tentativë-ligj skandaloz që u kontestua fortë jo vetëm nga opozita por edhe nga ndërkombëtarët njëzëri, shkruhej mes të tjerave tekstualisht:

-BKH do të jetë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

-Drejtori i BKH-së propozohet nga Drejtori i Policisë së Shtetit dhe emërohet nga Ministri i Brendshëm, pasi merret paraprakisht pëlqimi i Prokurorit të Përgjithshëm.

-Ai shkarkohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi merret më parë pëlqimi me shkrim i Prokurorit të Përgjithshëm.

-Punonjësit e BKH-së emërohen nga Drejtori i Policisë së Shtetit dhe duhet të zgjidhen nga radhët e policëve aktualë.

Ky ishte plani i Edi Ramës 4 vite më parë, për strukturën që do të hetonte zyrtarët e lartë për korrupsion. E varur nga Saimir Tahiri dhe më pas nga Fatmir Xhafaj dhe nga ana tjetër, në atë kohë dhe tani, nga Ardi Veliu.

Pasi kjo tentativë arrogante dhe e hapur dështoi atëherë, nën rrogoz duket se është vazhduar që BKH-në ta marrin nën kontroll në mënyra të tjera.

Një nga kandidatët ka marrë guximin dhe me fakte dhe dokumente ka çuar në Gjykatën Administrative procedurën false, të përzgjedhjes së atyre që do përbëjnë trupën përfundimtare të BKH.

Në padi faktohet, se procedura ka qenë e pandershme dhe selektive.

Kujtojmë se një nga justifikimet e “bukosjes” së SPAK, edhe pas skandaleve të paprecedentë si ky i inceneratorëve, ku janë kapur “me presh në dorë” disa ministra, kryebashkiakë dhe vetë kryeministri  Edi Rama; është pikërisht pritja e themelimit të BKH.

Sipas ligjit për këtë strukturë, ajo do të jetë furnizuesja dhe ekzekutuesja e shumë dosjeve të nxehta korruptive që ka në dorë SPAK.

Por duket se për këtë ditë, Edi Rama, ka nisur të mendojë dhe planifikojë që në vitin 2016.

Nuk ja arriti atëherë që ta bënte me ligj BKH-në një vegël të ministrave të vet të Brendshëm dhe të Ardi Veliut, por duket se po e realizon sot duke skualifikuar të ndershmit dhe profesionistët dhe katapultuar ushtarë të “Rilindjes” dhe pushtetit.