Skandali me BKH-në/ Pse përfundoi në gjykatë procesi i përzgjedhjes

Procesi për përzgjedhjen e kandidatëve të BKH paditet në Gjykatën e Administrative.

Burime për “News 24” bëjnë me dije se një prej aplikantëve, duke e konsideruar të padrejtë skualifikimin e tij nga gara, kërkon që procesi të shpallet i pavlefshëm. Edhe të tjerë aplikantë janë ankuar për këtë proces përzgjedhjeje.

Por përse procesi përfundoi në gjykatë? Kjo duket se ishte një lëvizje e dëshpëruar e aplikantëve, të cilët flasin për një skandal.

Sipas tyre, pas testit logjik u shpall edhe lista e fituesve. Tani ishte momenti i testit fizik. Aty ndodhi një hile e madhe nga organizatorët dhe komisioni i vlerësimit, për shkak se nuk kishte asnjë modalitet dhe asnjë rregullore se si do të zhvillohej testi fizik.

Në përfundim të këtij testimi, u bë publike lista e fituesve, ku kishte vetëm emra dhe mbiemra. As kod, as pikët e marra dhe as një komision se ku mund të ankoheshin.

Burimet thonë se edhe padia në gjykatë ishte një lëvizje e dëshpëruar, pasi duhet kaluar një komision apelimi në institucion, që më pas të bësh padinë.

E gjitha ishte një skemë e qëllimshme ku të mos kishte mundësi ankimi. Burimet thonë se synimi ishte të kalonin përpara kandidatë të veçantë.