Shqipëria mes korrupsionit, krimit dhe zgjedhjeve që po vijnë

“Republika e Shqipërisë, vendi më i varfër në Evropën Juglindore, ka fituar një reputacion famëkeq për shkak të elitës së saj të korruptuar”. 

Kështu nis një shkrim i gjatë i portalit ForeignPolicyNews.org që mban firmën e Peter Tase dhe që bën akuza të forta për qeverinë e kryeministrit Rama për të cilën thotë madje se ka shfrytëzuar një rrjet të sofistikuar të plantacioneve të marihuanës dhe menaxhon tregtine rajonale të drogës që po shkakton një numër në rritje atentatesh mes anëtarëve të karteleve të ndryshme të drogës dhe një numër në rritje të viktimave të pafajshme në 7 vitet e fundit.

“Vrasja e Niko Goros dhe atentati i mbetur në tentativë ndaj Andon Dhimës (e dokumentuar nga kamerat e sigurisë), janë një dëshmi e mirëfilltë e situatës aktuale të Shqipërisë, një vend që është shkatërruar nga krimi i organizuar, teksa shumica e fermave të saj në zonat rurale kontrollohen nga baronët e drogës. Tirana gjithashtu po vuan nga një hemorragji e trurit dhe po përballet me një krizë demografike. Brezi i saj më i ri po largohet nga vendi në kërkim të mundësive më të mira në rrugët e Evropës Perëndimore” – thuhet ndër të tjera në shkrim.

Më pas flitet për deklaratat e vazhdueshme të Presidentit Meta për largimin e të rinjve nga vendi ndërsa ambasadorin e BE, Luigi Soreca e quan “të mbrojtur nga George Soros”.

“Presidenti Ilir Meta në mënyrë legjitime ka shprehur një shqetësim të thellë mbi situatën aktuale socio-ekonomike në Shqipëri, por për fat të keq deklaratat e tij janë injoruar haptazi nga Brukseli, duke mos ushtruar presion ndaj Edi Ramës për të luftuar krimin e organizuar, edhe pse klubi i Charles Michel dhe udhëheqja e KE e kanë refuzuar hapjen e negociatave pikërisht për të njëjtat arsye që janë shprehur qartë nga Presidenti i Shqipërisë (gjatë dy viteve të fundit), duke përfshirë këtu: rrënimin e institucioneve demokratike krimin e organizuar që ka depërtuar brenda qeverisë së Ramës dhe stanjacion ekonomik” – thuhet në shkrim ku ngrihen pikëpyetje se përse nuk reagon BE.

“Është shqetësuese teksa vërehet se përfaqësuesit e Bashkimit Evropian janë në dijeni të krizës kushtetuese të Shqipërisë, paaftësisë institucionale, megjithatë ata qëndrojnë të heshtur dhe bashkëpunojnë me taktikat e fshehta të Edi Ramës” – citohet në shkrim.

“Edi Rama ka “uzurpuar çdo institucion të pavarur” dhe e ka kthyer vendin në një “regjim me një parti”, Tirana nuk ka një gjykatë kushtetuese për më shumë se tre vjet, dhe Këshilli Europian mbetet i heshtur dhe ka dështuar në mënyrë dramatike për të rikthyer qeverinë e Ramës në rrugën e duhur. Për më tepër Edi Rama dhe shumica e tij qeverisëse kanë minuar zbatimin e reformës në drejtësi të Shqipërisë, vendi është pa një gjykatë kushtetuese për më shumë se tre vjet dhe lufta e Tiranës kundër korrupsionit është një fiasko totale” – citon shkrimi. Më pas behet një analizë për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në 25 prill që sipas autorit të këtij shkrimi do të manipulohen sërish nga Rama.

“Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në 25 Prill, 2021 dhe Edi Rama pritet t’i manipulojë zgjedhjet për të siguruar mandatin e tij të tretë se bashku me aleatet e tij, në një kohë të përshtatshme kur partnerët e tij Evropianë bashkepunetore ne kete krim, megjithëse te paralajmëruar në mënyrë të përsëritur – kanë prirjen për të mbështetur status-quo-në e Ramës në dëm të standardeve demokratike dhe të autonomisë institucionale të Shqipërisë” – thuhet në shkrim.

“Kryeministri i Shqipërisë është përqendruar vetëm në te ardhmen e tij politike dhe ne sigurimin e pasurise personale. Vendi po kalbet në varfëri dhe krimi i organizuar vepron lirshëm në rrugët e Tiranës. Populli shqiptar është viktimë e rritjes së pabarazisë në të ardhura që po vonon aspiratat e tyre – integrimin e plotë evropian – ëndrrat per zhvillimin dhe po zbeh shpresat e tyre. Zgjedhjet e 25 prillit janë një moment themelor për demokracinë institucionale të vendit dhe institucionet e Bashkimit Evropian kanë disa muaj kohe per te vepruar dhe për të promovuar institucione funksionale qe zbatojne ligji, ose për të vazhduar të ruajnë autokracinë e Ramës” – thuhet në shkrim. ©LAPSI.al