VIDEO/ ‘Luftë’ në Napoli, qytetarët revoltohen me masat e izolimit

Protestuesit në Napoli të Italisë u përplasën dhunshëm me policinë dhe u vunë zjarrin koshave të mbeturinave mbrëmjen e shkuar.

Ata reaguan të revoltuar pas masave të reja të sigurisë që synojnë kufizimin e përhapjes së koronavirusit.

Qindra aktivistë dolën në rrugët kryesore të qytetit, duke marshuar dhe kënduar kundër izolimit të ri.

Makinat e policisë u sulmuan nga protestuesit, që përdorën shkopinj bejsbolli dhe kokteje molotov. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe tensionet u përshkallëzuan menjëherë.

Rastet me koronavirus në Itali janë shtatëfishuar që prej nisjes së muajit. Të premten u regjistruan 19.143 raste. Kjo ka shtuar frikën se pandemia po del jashtë kontrollit.