KQZ e re/ Komisioneri Celibashi takon përfaqësues të shoqërisë civile.

Komisoneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti në takim përfaqësues të shoqërisë  civile, Megi Reçi, Koordinatore e projektit Civil Rights Defenders (CRD) zyra e Shqipërisë, Afrim Krasniqi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike (ISP) dhe Erida Skendaj, Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit(KSHH).

Mbështetja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për projektin ‘Unë marr Pjesë! Zëri im. Vota ime Vlen!’, ishte fokusi i takimit.

Ky projekt do të zbatohet për zgjedhjet parlamentare 2021, nga tre organizatat e shoqërisë civile CRD, ISP dhe KSHH, dhe synon të fuqizojë qytetarët dhe shoqërinë civile që të angazhohen, të promovojnë, të advokojnë dhe monitorojnë proceset demokratike.

Projekti synon gjithashtu krijimin e një aplikacioni celular (mobile app), që do të shërbejë si një platformë informuese për qytetarët por edhe si mundësi që ata të raportojnë parregullsi/shkelje në lidhje me procesin zgjedhor.

Celibashi u shpreh se do të intensifikohen marrëdhëniet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore. Shoqëria Civile është partner i rëndësishëm i KQZ-së, ndaj në të ardhmen synohet institucionalizimi i këtij bashkëpunimi.

Komisioneri konfirmoi angazhimin e tij, për të ofruar transparencë maksimale të veprimtarisë së KQZ-së dhe për të punuar ngushtësisht pa asnjë lloj kufizimi me aktorët e shoqërisë civile të përfshirë në procesin zgjedhor.