Vettingu i shtrenjtë, ja sa do kushtojë për vitin 2021, 5 mln USD veç për SPAK

Organet e Vetting-ut edhe përgjatë vitit 2021 do të vijojnë t’u kushtojnë shtrenjtë taksapaguesve shqiptarë.

Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm Këshilli I Ministrave ka parashikuar një total prej rreth 11 milionë dollarësh për dy Komisionet e Vetting-ut, Komisionerin Publik, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe SPAK. 

Inspektori i Drejtësisë, Ii cili është ende në proces ngritjeje dhe plotësimi me staf do të ketë në dispozicion për vitin e ardhshëm një buxhet prej 245 milionë lekësh, afërisht 2.5 milionë dollar. 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të ketë një buxhet prej 198 milionë lekësh, rreth 2 milionë dollarë ndërkohë që 137 milionë lekë, afërisht 1.3 milionë dollarë janë parashikuar për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Rreth 600 mijë dollar është parashikuar buxheti i Komisionerit Publik.

Ndërkohë që plot 5 milionë dollarë do të jetë buxheti I vitit të ardhshëm për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, e cila pritet që vitin e ardhshëm të plotësohet me numrin e parashikuar të prokurorëve, por edhe me 60 oficerët gjyqësorë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Hetuesit e BKH janë në fazat e fundit të përzgjedhjes dhe pritet të nisin punën pas një trajnimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me ligjin e ri për organet e drejtësisë, anëtarët e këtyre komisioneve përfitojnë paga që shkojnë në rreth 300 mijë lekë në muaj, të cilat përbëjnë edhe pjesën kryesore të kostove buxhetore për këto institucione./Scan