Policia bën kërdinë te ‘Myslym Shyri’, revoltohen qytetarët dhe bizneset

Policia e Shtetit njoftoi se ka vendosur mbi 120 gjoba në një prej rrugëve më të njohura në kryeqytet. Bëhet fjalë për rrugën e famshme të dyqaneve, ‘Myslym Shyri’.

“Rrugoret e kryeqytetit, monitorim të dedikuar përgjatë 12 orëve, ndëshkojnë 120 automjete të pushuara në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, në rrugën "Myslym Shyri", e cila shërben si një arterie kryesore për lidhjen e unazës së mesme me unazën e vogël dhe qendrën e kryeqytetit.

Duke qenë se rruga “Myslym Shyri” njihet si një nga rrugët më të rëndësishme për njësitë tregtare në kryeqytet, mbetet shqetësim i përditshëm parkimi i mjeteve në korsinë e lëvizjes, duke krijuar pengesa serioze në qarkullimin e mjeteve dhe duke u bërë rrezik për aksidente rrugore, për shkak të manovrave që përdoruesit e rrugës kryejnë nga njëra korsi në tjetrën,” shkruan policia.

Por në të gjitha komentet, qytetarët dhe bizneset janë të revoltuar. Ata ankohen se rruga është ngushtuar për biçikleta që duken shumë rrallë, ndërkohë që nuk ka parkingje.

Sipas tyre, një rrugë kaq e rëndësishme me dyqane dhe butikë, nuk mund të katandiset në këtë mënyrë.

Kujtojmë se bizneset e Rrugës së Durrësit u shkatërruan brenda një kohe të shkurtër, ndërkohë që të njëjtin fat duket se do ketë edhe rruga e famshme e blerjeve.