Rama: Duan peshk! Reagon Kryemadhi: Do digjesh në tiganin e shqiptarëve

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me të rinjtë dhe të rejat në zyrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryemadhi bisedoi gjatë me të rinjtë e LSI-së, ndërsa iu përgjigj edhe sulmeve të fundit të kryeministrit Edi Rama.

Ajo tha se Rama, me zullumet që vazhdon të bëjë, do të digjet në fund në tiganin e shqiptarëve.

“Edi Rama të vazhdojë me këto zullume që bën. Le të vazhdojë, se te tigani i shqiptarëve do digjet”, shprehet Kryemadhi.

“I kemi shumë të mirë të rinjtë dhe gjimnazistët e Tiranës. Shqipëria është shtëpia juaj”, shkruante Kryemadhi përpara takimit me djem dhe vajza të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Më herët kryeministri Rama sulmoi Kryemadhin ndërsa replikoi me kryedemokratin Basha në Twitter.

‘Ah Lul, të ka mbet ora tek Gropa e Hajdin Saliut, po habitem si s’e kupton që sa më shumë sulmon impiantet moderne të mbetjeve, aq më shumë tregon se nuk ndahesh dot nga malet me plehra të Sali Hajdinit! Ta qaj hallin, je mes gropës së tij dhe grepit të Likes për tiganin e Monës!’

Kurse në një takim në një banesë të rindërtuar, Rama tha: "Ne na qepen me tigan në dorë dhe thonë duam peshk. Ky është halli i përbashkët që do ta zgjidhim besoj. Ky është helmi i përditshëm, zhurma, çorodia, nëpër kanale, nëpër portale, por njerëzit nuk janë budallenj. Fatkeqësia e këtyre më e madhe është se i dinë njerëzit budallenj, por nuk i hanë këto lloj karremash për të përfunduar në tiganin e Monikës. Po nejse mos ta prishim tani. Po mirë ishte sa po mos me na marrë sysh kjo pjesë".