Covid-19/ Italia drejt një izolimi të dytë, çfarë po diskuton qeveria dhe shifrat që do sillnin karantinën

Italia duket se po shkon drejt një izolimi të dytë për shkak të situatës nga pandemia, edhe pse deri më tani është mohuar një mbyllje që do i jepte goditje të rëndë ekonomisë së vendit që vuajti shumë gjatë valës së parë të koronavirusit.

Sipas “Corriere della Sera”, e cila i referohet burimeve qeveritare, Roma mund të shkojë në një bllokim të ri, nëse numri i pacientëve të shtruar në terapi intensive i tejkalon 2,300.

Vendimi për të rishikuar masat aktuale kufizuese erdhi të Mërkurën, pasi Italia regjistroi një rekord prej 15.199 infeksionesh të reja me Covid-19, brenda një dite. Kjo ishte shifra e saj më e lartë ditore në rastet e infektimeve që nga fillimi i pandemisë.

Edhe gazeta “la Repubblica”, shkruan për kërcënimin e një karantine të re nëse rastet ditore me të infektuar do të kalonin 20,000.

Kryeministri Giuseppe Conte e ka përjashtuar mundësinë e një izolimi të ri pas muajve të verës. Sidoqoftë, në javët e fundit, me rritjen e rasteve të reja të koronavirusit, kryeministri mund të ndryshojë mendje, shkruan The Guardian.

Të enjten, Conte i tha parlamentit se qeveria e tij ishte ‘ e gatshme për të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse ishte e nevojshme ‘.

Shqetësimi i Italisë është mungesa e shtretërve spitalorë, të cilët ishin pothuajse në kolaps gjatë valës së parë të pandemisë.

“Mbyllja e aktiviteteve “jo thelbësore” dhe ndalimi i lëvizjes midis rajoneve: këto janë masat që po studiohen nga qeveria nëse rregullat aktuale, nuk e frenojnë rritjen e kurbës epidemiologjike. Ekzekutivi zgjedh të ecë përpara “gradualisht” me një qëllim të deklaruar: të mbajë aktivitetet prodhuese dhe shkollat ??të hapura. Por nëse numri i rasteve të reja pozitive dhe mbi të gjitha ai i pacientëve të shtruar në spital vazhdon të rritet aq shpejt sa në ditët e fundit, duket qartë se duhet të kryhen edhe mbyllje të tjera progresive, pse jo edhe një izolim i ri”, shkruan Corriere della Serra.

Qendrat tregtare

Qendrat tregtare mbeten nën mbikëqyrje të veçantë në Itali. Disa guvernatorë tashmë kanë vendosur t’i mbajnë të mbyllura gjatë fundjavave, ku lëvizja e njerëzve është më e madhe. Nëse kurba epidemiologjike vazhdon të rritet, qeveria mund ta shtrijë këtë masë në të gjithë vendin. Duke lënë dyqanet ushqimore dhe farmacitë e hapura, ashtu siç ka bërë tashmë Lombardia. Një masë që për momentin konsiderohet si ekstreme dhe që po përpiqet të shmanget duke bindur Rajonet të ndërhyjnë aty ku numri i rasteve të reja dhe të shtruarve në spital vazhdon të rritet.