Nga Prizreni në Korçë për transport klandestinësh, arrestohen dy persona

U kapën duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Policia e Korçës thotë se u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve L. O., 21 vjeç dhe F. S., 32 vjeç, banues në Prizren, Kosovë. 

Ja njoftimi i plotë i policisë:

Qarku Korçë

Vijojnë goditjet në kuadër të operacionit policor "Perimetri".

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

U kapën duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore, Forcat Speciale "Shqiponja" dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor "Perimetri", kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve L. O., 21 vjeç dhe F. S., 32 vjeç, banues në Prizren, Kosovë. 

Shtetasit e mësipërm janë kapur nga shërbimet e Policisë në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar me mjetet tip "Volksëagen" dhe "Audi", 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim".