Greqia lëshon kundër-paralajmërimin e saj në det, ndërsa tensionet ngrihen përsëri në Mesdhe

Shërbimi Hidrografik i Marinës Greke në Kretë, lëshoi të enjten paralajmërimin e tij për lundrimin (NAVTEX), në kundërpërgjigje të njoftimit nga Antalia për marinarët, për aktivitete që tha se ishin brenda shelfit kontinenental grek në zonën midis ishujve Rodos dhe Kastellorizo.

Kundër-njoftimi i Greqisë thoshte se aktiviteti turk "ishte i paautorizuar dhe i paligjshëm" në një zonë që mbivendoset në shelfin kontinental grek. Aty shtohej se stacioni i paralajmërimeve detare në Herakleion të Kretës kishte autoritetin të transmetonte mesazhe Navtex në zonë.

Të mërkurën, Marina e Turqisë tha në një njoftim detar se do ta zgjaste qëndrimin e anijes së saj kërkimore Oruc Reis dhe të dy anijeve të tjera në zonën e debatueshme në lindje të Mesdheut deri më 27 tetor, kur anijet ishin planifikuar që të punonin deri më 22 tetor.