Meta uron Lalën: Fenomeni i blerjes së votave merr fund më 25 prill

Presidenti Ilir Meta reagoi pasi gazetarja Klodiana Lala fitoi çmimin e parë nga BE për shkrimin investigativ për blerjen e votave nga krimi i organizuar.

Meta përgëzon Lalën dhe shprehet se ky fenomen do marrë fund më 25 prill.

"Urime të përzemërta gazetares së mirënjohur, Klodiana Lala, për çmimin e parë të fituar në konkursin e BE-së për gazetarinë investigative, për shkrimin: “Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave”.

E përgëzoj Klodianën për punën, përkushtimin dhe kurajon e treguar, jo vetëm për të hedhur dritë mbi dosjet e Durrësit, Shijakut, Dibrës, Kavajës e Lezhës, por në tërësi mbi fenomenin kanceroz të blerjes së votave që do të marrë fund njëherë e përgjithmonë në 25 prill 2021.

Mirënjohje për të gjithë angazhimin e saj si misionare e fjalës së lirë, në funksion të informimit të drejtë e të paanshëm, gjithmonë në mbrojtje të interesit publik.

Gazetaria shqiptare ka sot më shumë nevojë se kurrë për modelin e gazetarëve të vërtetë dhe kurajozë si Klodiana Lala!" shkruan Meta.