Shqiptarit i zbulojnë laboratorin e drogës, i gjenden 18 kg heroinë

Policia italiane ka zbuluar një laborator droge në brendësi të një kapanoni industrial të baktisur në Cusago, periferi në perëndim të Milanos. Një shqiptar, 61 vjeç, ka përfunduar në pranga, i akuzuar për shitje lëndësh të ndaluara.

Deri te zbulimi i laboratorit në kapanon u arrit pas një serie të gjatë vëzhgimi e gjurmimi të shqiptarit, i cili ishte parë të hynte shpeshherë atje.

Policët e ndaluan për kontroll dhe i gjetën një gram kokainë, tre telefona celularë, 185 euro dhe një tufë çelësash. Këta të fundit i përkisnin fabrikës së braktisur që ishte shndërruar në laborator për përzierjen dhe konfeksionimin e drogës, me të gjitha mjetet e nevojshme për kryerjen e punës.

Para kontrollit brenda stabilimentit u kontrollua një makinë e parkuar pranë ndërtesës dhe poshtë njërës prej rrotave u gjet një qese me 11 gramë kokainë. Brenda makinës u zbuluan 18.6 kile heroinë, gjysmë kile kokainë, 9 gramë marijuanë e tetë kile lëndë përzierëse, si dhe 48 mijë euro.

Kontrolli në banesën e shqiptarit solli zbulimin e dy mijë eurove të tjera, disa blloqe me shifra mbi aktivitetin, një tjetër celular dhe një peshore e vogël.