‘Porno hakmarrëse’/ Përse po flitet kaq shumë për këtë gjyq

U bënë vite tashmë që termi ‘porno hakmarrëse’ qarkullon në median sociale. Në Britaninë e Madhe, një krim i tillë dënohet me burg. Bëhet fjalë për shpërndarjen e materialeve erotike si shenjë hakmarrje ndaj ish-partnerëve.

Deri më tani, të dënuarit janë kryesisht meshkuj. Por ky rast ka bërë bujë jo vetëm në Britani, por edhe në mbarë Europën.

Yasmin Walker u tërbua kur i dashuri i saj e la.

Ajo i kishte bërë një foto penisit të të dashurit dhe vendosi ta postojë në Instagram për ndjekësit e saj, bashkë me komente fyese për madhësinë.. Ajo shkruante se ai kishte penisin e vogël.

Kur pa foton, ish-i dashuri ishte në kinema me djalin. Ai doli me urgjencë jashtë dhe iu lut asaj që ta fshinte foton. Por ajo nuk e bëri. Si pasojë, ai u desh të përballej me komente nga më turpërueset. “Sa herë takoja klientë të rinj në punë, kisha frikë se mos e kishin parë foton,” tha ai.

Kur presioni u bë shumë i madh, ai e raportoi ngjarjen në polici. Fillimisht Walker tha se e kishte postuar foton aksidentalisht.

Por kjo nuk e ndihmoi. Ajo është gjetur fajtore nga një gjykatë, e cila e akuzon se e ka postuar foton me qëllimin për të torturuar viktimën.

Tani ajo rrezikon nga 4 deri në 6 muaj. Vendimi jepet javën tjetër.