Spiropali: Boll e kemi duruar opozitën, nuk ka ndarje 'rilindas' dhe 'socialistë'

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ftuar në Çim Peka LIVE, komentoi fillimisht temën e emisionit: Kush po na qeveris, PS apo Rilindja.

“Votuesit e PS, ashti, palca e PS nuk ka asnjë dilemë të tillë. Këto janë diversione të dëshpëruara të atyre që kemi përballë, të cilat as po ngjisin dhe as po ndezin. Ne jemi të sigurt për fitoren e 25 prillit, prandaj mundohen të na ndajnë në rilindas dhe socialistë,” tha Spiropali.

Sipas saj, PS ka bërë çdo marrëveshje të mundshme me opozitën jashtëparlamentare.

“Boll kemi duruar 4 vite. Durojmë fyerje dhe sërish i presim në Kuvend,” tha ajo.

Spiropali mohoi se mungesa e reformës zgjedhore konsensuale do të bllokojë nisjen e negociatave.

“Këshilli në mars ka vendosur që të çelim negociatat. Ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet që ata na kanë vënë. Ne bëmë ndryshimet kushtetuese për të reflektuar një nevojë shoqërore. Ne kemi bërë një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR,” tha Spiropali.