Shehu - Ramës: Të publikosh bisedat informale me Macron, jo gafë diplomatike, por provokacion!

"Kryeministri - Ministër i Jashtëm, po e shkatërron integrimin dhe diplomacinë shqiptare, - gjykon Tritan Shehu, ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Në një analizë sot, Shehu komenton katër çështje problematike të diplomacisë që po zhvillon Edi Rama.

Shehu thotë: "Së pari, të publikosh bisedat informale me Kryeministrin e Francës, nuk mendoj se është thjesht një gafë e rëndë diplomatike, por tingëllon si një provokacion që dëmton marrëdhëniet me atë personalitet, me atë vend mik dhe shton pengesat qoftë dhe aty për integrimin tonë.

Së dyti, të sulmosh BE-në në politikat e saj të integrimit, ta akuzosh atë me epitete krejt jashtë etikës diplomatike - janë përsëri jo thjesht "humbje ekuilibri”, por insultë me pasojë negative politike për ne.

Së treti, të akuzosh pa baza Brukselin dhe vendet anëtare, të kërkosh të fshehësh mbas të tilla akuzave, përgjegjësitë e tua për problemet që po kalon Shqipëria që nga deformimi i thellë i demokracisë, shkatërrimi i institucioneve - përfshi dhe të drejtësisë - korrupsioni, krimi galopant, republikën e kanabisit të krijuar, trafiqet, varfërinë, emigracionin masiv etj, - është si të kërkosh të fshehësh “minaren në trajsë”, gjë që tregon se nuk po mendon për të korrigjuar sado pak. Përkundrazi.

Së katërti, të mos kuptosh qartë, veçanërisht tashti që Maqedonisë së Veriut i është çelur “drita jeshile”, ndërsa neve një vend historikisht i lidhur me Perëndimin e pa ato probleme të fqinjit, të konsiderohemi si “delja e zezë” -  tregon se nuk do ta kuptosh këtë realitet të rëndë të krijuar nga kjo qeverisje, për arsye…të lidhura me vullnete, interesa e strategji të qëllimshme për të penguar integrimin e vendit dhe mbajtur atë nën këto pushtete okulte, larg Perëndimit e BE-së, të lidhura këto me detyrime të imponuara apo të dyja bashkë për vazhdimin e kësaj rruge pa krye.

Këto janë pyetje të hapura, që presin pergjigje, tashmë jo nga Kryeministri, por që shqiptarët më 25 prill do t'ia japin atij."