Manastirliu përdor FOTO ‘të rreme’ për të fryrë faturën e tenderit 1.5 mln euro

Disa foto të vjetra, ‘të trafikuara’ në projektin e një tenderi rreth 1.5 milionë euro të Ministrisë së Shëndetësisë, duket se kanë shërbyer për të fryrë faturën financiare për rikonstruksionin e godinës së Qendrës së Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve.

Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Ogerta Manastirliu, ka shpallur së fundmi tenderin me fond 156 milionë lekë të reja (pa TVSH), për rikonstruksionin e godinës, në të cilën trajtohen me shërbim ambulator dhe hospilator fëmijët me aftësi ndryshe.

Iniciativa është pozitive, por brenda saj ka detaje, të cilat vënë në pikëpyetje atë që konsiderohet si investim në përmirësimin e kushteve për fëmijët me aftësi ndryshe.

Në projektin zyrtar, që shoqëron dosjen e prokurimit publik, gjenden disa foto, në të cilat dallohet një godinë në gjendje të rënduar, pa mirëmbajtje.

Por, ka një problem thelbësor. Fotot kryesore, ato që tregojnë gjendjen ‘e mjeruar’ të objektit, nuk i përkasin Qendrës Kombëtare të Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve.

Për më tepër, ato pamje që shoqërojnë dosjen e tenderit rreth 1.5 milionë euro, tashmë kanë ndryshuar, në përfundim të një tjetër projekti qeveritar.

Përdorimi i këtyre fotove, të cilat nuk janë lidhje me objektin që do të rikonstruktohet, vendosin pikëpyetje të forta mbi faturën financiare, të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Relacioni Teknik për rikonstruksionin e godinës mban datën Dhjetor 2018. Por, që prej asaj kohe, disa gjëra kanë ndryshuar, përfshirë edhe përmirësimin e fasadës së përdorur në këtë projekt. E, megjithatë, ‘pamjet e mjeruara’, gjenden sërish në dokumentin e shpallur së fundmi.

****

Qendra Kombëtare e Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve gjendet në një godinë komplekse, ngjitur me Qendrën Shëndetësore nr.6, në Tiranë.

Qendra për Zhvillimin e Fëmijëve. Në të majtë të saj gjendet Qendra Shëndetësore nr.6

Godina është një strukturë solide, e ndërtuar disa dekada më parë, e cila u ka rezistuar më së miri tërmeteve ndër vite, përfshirë edhe atij të 26 Nëntorit 2019.

Ambientet ku aktualisht gjendet Qendra e Zhvillimit të Fëmijëve, kanë shërbyer më parë si Spitali për sëmundjet distrofike dhe, duke filluar pas viteve 2000, kur është kryer rikonstruksioni i fundit, ajo ka mirëpritur dhe trajtuar fëmijët me aftësi ndryshe.

Në 27 Gusht 2020, kryeministri Edi Rama, në një postim video në rrjetin social zyrtar, publikoi pamjet nga rikonstruksioni i Qendrës Shëndetësore nr. 6, në Tiranë, e cila gjendet ngjitur me Qendrën e Zhvillimit të Fëmijëve.

Në ato pamje video, Rama, siç e ka bërë standard të tijin, publikoi pamje se si ishte qendra shëndetësore para rikonstruksionit dhe se si ajo ishte shndërruar pas investimit të qeverisë së tij.

Në disa foto, të shkëputura nga materiali filmik i postuar nga Rama, dallohet qartë, ndër të tjera, rikonstruksioni i pamjes ballore dhe anësore të Qendrës Shëndetësore nr. 6.

(Para rikonstruksionit) Pamje nga video e publikuar nga kryeministri Rama, në Gusht 2020

(Pas rikonstruksionit) Pamje nga video e publikuar nga kryeministri Rama, në Gusht 2020

Foto të të njëjtave kënde të godinës, por në variantin e vjetër të tyre, pra atë të para-rikonstruksionit, janë përdorur në dokumentet e tenderit të shpallur së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë, për rikonstruksionin e Qendrës së Zhvillimit të Fëmijëve.

Pjesë nga Relacioni Teknik për tenderin e ri

Përballë këtyre fakteve, ka diçka që kërcet fort.

Ministria e Shëndetësisë ka kryer rehabilitimin e Qendrës Shëndetësore dhe, rrjedhimisht, është në dijeni të plotë që ajo fasadë, e përdorur në tenderin e sapo-shpallur, së pari nuk është më në atë gjendje ‘të mjeruar’ dhe, ajo që është më kryesorja, nuk i përket institucionit të piketuar së fundmi për rikonstruksion.

Ky fakt ngre dyshimet e para se fotot e përdorura në projekt mund të kenë shërbyer si ‘mekanizëm’ për të justifikuar fryrjen e faturës financiare për tenderin e rikonstruksionit të Qendrës së Zhvillimit të Fëmijëve.

****

Projekti për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare të Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve, i porositur nga Ministria e Shëndetësisë dhe i hartuar nga një studio private, parashikon disa ndërhyrje në godinë, në aspekte që lidhen me pamjen e jashtme dhe të brendshme.

Projekti, i cili është shpallur bashkë me dosjen e tenderit, duket se ka fokus ri-sistemimin e zyrave administrative.

Në projekt janë përmendur edhe nevoja për një rregullim të kuzhinës, tualeteve dhe fjetoreve të fëmijëve.

Ndërhyrja në godinë do të jetë kryesisht në lyerje e suvatime, pasi nuk përmendet askund që kompania fituese të pajisë Qendrën me pajisje kuzhine dhe mobilimin e dhomave.

Në relacionin përfundimtar, studio projektuese ka bërë një përmbledhje të problematikave në objekt.

Ato konsistojnë kryesisht në rifiniturat e jashtme e të brendshme, shtresat e izolimit të çatisë, shtresat në ambjentet e fjetjes, disiplinim i rrjetit elektrik dhe ujërave sipërfaqësore, sistemi i kondicionimit dhe problematika në dyer e dritare.

Riparimi i të gjithë këtyre problematikave në godinë është shumë i rëndësishëm për trajtimin sa më efikas të fëmijëve dhe nënave që i shoqërojnë të miturit në atë Qendër.

Megjithatë, kostoja kostoja e parashikuar nga Ministria e Shëndetësisë për rikonstruksionin e godinës, rreth 1.5 milionë euro (bashkë me TVSH), është e ngjashme me llogaritjet për ngritjen e një godine të re shumëkatëshe.