'Siç e do Athina'/ Shtypi grek: Vizita e Dendias, vendimtare për kufirin detar

"Vizita zyrtare e Ministrit të Jashtëm të Greqisë Nikos Dendias në Tiranë të martën mund të përshkruhet si vendimtare", cilëson sot media greke Newsbomb.gr.

Ministri i Jashtëm grek do të takohet me homologun e tij shqiptar, në kontekstin e diskutimeve që kanë filluar tashmë, për krijimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Në zemër të diskutimeve, siç pritet, do të jetë çështja e zgjidhjes së kufijve detarë. Çështja është pezull që nga viti 2009 kur të dy vendet nënshkruan marrëveshjen, e cila më vonë u anulua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.

N. Dendias vizitoi Kosovën javën e kaluar dhe, ndër të tjera, u përpoq të diskutojë me udhëheqjen shqiptare të Kosovës, nëse çështja e Zonës Eksluzive Ekonomike mund të vazhdojë normalisht me Shqipërinë, pa ndërhyrjen e Turqisë.

Me përfundimin e marrëveshjes së Zonës Ekonomike me Shqipërinë, "fronti perëndimor" i saj për palën greke mbyllet dhe hapet rruga për zgjerimin e ujërave territoriale greke në 12 milje në Jon në atë mënyrë që e dëshiron Athina, shkruan gazeta greke Newsbomb.gr