Kinë fillon ngjitjen ekonomike ndërsa bota është në recesion

Kina vijon të shënojë rritje të ekonomisë së saj, edhe pas pandemisë së koornavirusit.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka shënuar rritje të kënaqshme në tremujorin e tretë të vitit, me 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithsesi shifra qëndron nën parashikimin e ekspertëve, që prisnin një rritje prej 5.2%.

Zëdhënësja e Byrosë Kombëtare të Statistikave, Liu Aihua, paralajmëroi se rritja mbetet ende e ngadalshme.

“Ekonomia është ende në proces të rimëkëmbjes. Disa ose shumica e treguesve nuk janë kthyer në nivelin normal të rritjes”, tha ajo.

Por shifrat flasin po ashtu për një përmirësim të situatës ekonomike gjatë kësaj periudhe, duke menduar sesi nisi viti 2020 për Kinën e më pas pjesën tjetër të botës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar rritje të ekonomisë së Kinës për 1.9% në vitin 2020 – shifër kjo e përafërt me parashikimin e Bankës Qendrore të Kinës prej 2%.