Një person pozitiv me Covid-19 në rezidencën e Papës në Vatikan

Covid-19 mbërrin dhe në Vatikan. Një burrë që jeton në të njëjtën rezidencë me Papa Françesku ka dalë pozitiv për COVID-19 dhe është izoluar, tha Vatikani të shtunën.

Sipas Reuters, burri, i cili nuk u identifikua dhe nuk kishte simptoma të sëmundjes, u largua nga rezidenca Santa Marta dhe shkoi në izolim së bashku me disa persona të tjetër, me të cilët kishte pasur kontakt të drejtpërdrejtë.

Papa Françesku, të cilit i ishte hequr një pjesë e një mushkërie gjatë një sëmundjeje kur ishte i ri në Argjentinën e tij të lindjes, testohet rregullisht për COVID-19.

Vatikani, një qytet-shtet i vogël i rrethuar nga Roma, është prekur vetëm lehtë nga koronavirusi, me rreth dy duzina raste të konfirmuara në total.

Tre banorë të Vatikanit të cilët rezultuan pozitivisht kohët e fundit janë rikuperuar, shtoi deklarata e së shtunës.