Militantizmi i panevojshëm i Albin Kurtit

Unë shkoj shpesh në Prishtinë, pothuajse çdo javë. Studiot e Syri.net janë në një distancë që mbulohet në këmbë me Katedralen Katolike, tek e cila shkohet nëpërmjet Bulevardit ‘Nënë Tereza’. Teksa kalon kryqëzimin, hidhesh në Bulevardin ‘George W. Bush’, i cili të çon në rrugën ‘Bill Clinton’, e prej aty kapërcen në rrugën ‘Bob Dole’, për të mbërritur në sheshin ‘Madeleine Albright’. Teksa përshkon këtë hapësirë, mendon se ç’do të ndodhë me liqenin ‘Trump’ pas marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Demokratë e Republikanë. Të dyja palët janë Amerikë. Amerika jonë.

Zgjedhjet presidencialë të këtij nëntori në Amerikë janë tmerrësisht të rëndësishme, jo vetëm për vetë Amerikën, por për mbarë globin. Për Kosovën, e cila ndodhet në kyçin e historisë dhe të ardhmes së vet, akoma dhe më të rëndësishme. Shqiptarët jo rrallëherë fati i ka vendosur në situata dhe momente më të mëdha sesa pasha e tyre reale. Michigan-i është një shtet që mbart 16 vota elektorale. Në vitin 2016 Trump i pati fituar këto vota elektorale me një avantazh prej vetëm 0.3%, pak më shumë se 10 mijë vota në total. Edhe këtë radhë distanca është e ngjashme. Rreth 1%. Michigan-i ka rreth 40 mijë votues shqiptaro-amerikanë. Mund të thuhet me siguri se nëse ata do vendosnin të votonin në bllok, vota e tyre do të ishte përcaktuese se cilit kandidat do t’i kalonte Michigan-i.

Albin Kurti iu drejtua dje me një mesash virtual votuesve shqiptaro-amerikanë, dhe veçanërisht atyre të Michigan-it, në favor të kandidatit demokrat Joe Biden. Unë nuk e di ku buron ky militantizëm i Kurtit, por di që është i dëmshëm edhe për të si politikan edhe për Kosovën. E pati bërë edhe Edi Rama në verën e viti 2016. Në një skenar të mirëmenduar, atij iu rregullua një intervistë në CNN, për t’u shprehur se “Donald J. Trump është një turp për qytetërimin” dhe se “fitorja e tij do të dëmtonte marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe shqiptarëve”. Edi Rama konkurron monarkitë e Lindjes së Mesme për shumën e parave që shpenzon për lobim në Washington. Të paktën dy herë i është afruar Zyrës Ovale, dhe të dy herët është kthyer mbrapsht. I munguari i madh në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhe ishte Edi Rama. Aty u nënshkruan dy projekte të mëdha ekonomike dhe infrastrukturore që prekin drejtpërdrejtë Shqipërinë. Hekurudha Kosovë-Shqipëri, dhe porti i thellë në Adriatik. Për Shqipërinë nënshkroi kryeministri Hoti. Në 100 vitet e fundit, gjithmonë ka folur Shqipëria për Kosovën. Këtë herë nënshkroi Kosova për Shqipërinë. Edi Rama mbahet larg si shejtani, sepse futi hundët aty ku nuk duhej t’i fuste.

Albin Kurti si individ, madje edhe si politikan, ka të drejtë të ketë preferencat e veta, si çdonjëri prej nesh. Çdo politikan apo lider botëror ka një preferencë se kush duhet të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA. Por askush, as liderët e fuqive të mëdha, nuk kanë luksin të shprehen hapur, aq më tepër të përfshihen direkt në fushatë. Unë nuk dua t’i futem debatit se kush është më i mirë për Kosovën, Trump apo Biden. Por disa gjëra tashme janë konturuar në politikën e jashtme të tyre në raport me Ballkanin. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nën lidershipin dhe drejtimin e presidentit George Ë. Bush, administrata e presidentit Obama u tërhoq plotësisht nga rajoni i Ballkanit, duke i lënë fushë të hapur Rusisë, Kinës, Turqisë, e të tjerëve. Personi i ngarkuar me portofolin për Ballkanin në administratën e Obama ishte pikërisht zëvendëspresidenti Joe Biden. Për më tepër, që gjatë një vizite zyrtare në Beograd, ai u kërkoi falje serbëve për bombardimet e NATO-s në vitin 1999. George Soros dhe familja e tij jo vetëm që janë financues kryesorë të Joe Biden, por edhe pjesë e rrethit të tij të afërt, dhe me ndikim të madh tek ai. Tashmë ne e dimë se projekti për ndarjen e Kosovës është formuluar në formë të shkruar nga Fondacioni i Soros në Beograd. Kemi parë edhe ecejaket e Soros Junior, sa në Tiranë, sa në Prishtinë e sa në Beograd duke shërbyer si lokomotiva pas projektit të treshes Rama-Vuçiç-Thaçi.

Nga ana tjetër, ne mund të themi çfarë të duam për Trump, por tashmë është e qartë se nuk ka rajon, ku politika e jashtme e SHBA-ve të ketë marrë një formë të qartë sesa Ballkani.  Marrëveshja ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë nuk synon vetëm normalizimin e marrëdhënieve, por edhe zgjidhjen përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb, dhe në njëfarë mënyrë zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare. Para pak ditësh qeveria e SHBA-ve dhe ajo e Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e hidrocentralit më të madh në Ballkan. Besohet se SHBA-të kanë edhe projekte të tjera në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Ky është një mekanizëm jo vetëm për të ngritur ekonomitë e këtyre vendeve, por edhe për të larguar kinezët dhe rusët nga Ballkani. Mund ta quajmë një Jaltë të dytë, mund ta quajmë çfarë të duam, por një gjë është e qartë: Ballkani është në front të përplasjes së madhe, dhe siç duket rajoni i parë në botë, që do të përcaktohet se në cilin bllok do të vendoset.  Qasja jotradicionale e administratës së presidentit Trump, ka sjellë një xhelozi pozitive edhe nga ana e Bashkimit Europian.  Jo vetëm që janë angazhuar fuqishëm në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, por para pak ditësh BE i ofroi rajonit një paketë prej 9 miliardë eurosh. 

Albin Kurti pretendon të jetë përsëri kryeministër i Kosovës në pak muaj. Gjasat janë që ai të ketë si interlokutor në Shtëpinë e Bardhë, përsëri administratën e Presidentit Trump. Turqia është një fuqi rajonale dhe një faktor i rëndësishëm në Ballkan.  Para pak javësh, kandidati Biden u shpreh në favor të ‘ndryshimit të regjimit me të gjitha mënyrat në Turqi’, duke shkaktuar tërmet në Ankara. Unë nuk e di se si do të sillet Ankaraja zyrtare nesër me Kurtin, por një gjë është e sigurt se protagonizmi i tij është mbajtur shënim. Dhe jo për mirë. Shembuj të ngjashëm ka shumë. Përgjegjësia e Kurtit nuk është vetëm partia e tij e Vetëvendosjes, por edhe Kosova. Borxhet që Kurti mund të ketë ndaj personave apo qarqeve të caktuara janë borxhe të tij dhe jo të Kosovës. Ambicia e tij për protagonizëm apo dëshira e tij për tu marrë me gjëra të mëdha, janë punë e tij dhe jo e Kosovës. Si individ ai mund të bëjë ç’të dojë, por si politikan ai nuk ka pse vendos Kosovën në situatë të sikletshme, dhe as ta dëmtojë atë, duke futur hundët aty ku nuk i takon.