Gjobat për maskat/ Basha: Asnjë masë e paligjshme e vënë nga Rama nuk do të njihet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se shumë shpejt do të rishpalosë planin e detajuar që do të vihet në zbatim nëse opozita të jetë në qeveri, për të anuluar kontratat koncesionare, që, sipas tij, janë korruptive.

“Çdo kontratë e lidhur në kundërshtim me ligjin, në kushtet e korrupsionit, është e pavlefshme, me efekt prapaveprues. Ne kemi një plan të detajuar, brenda javës së ardhshme do ta rishpalosim këtë plan. Që nga ngritja e strukturës së veçantë shtetërore që do të shqyrtojë kontratat, kriteret që do të ndiqen, vënia para përgjegjësisë e autorëve dhe gjetja e parave të shqiptarëve”, tha Basha.

Gjobat e vëna sot nga policia, do të zhbëhen ‘nesër’ me ardhjen në pushtet të PD-së. Deklarata u bë nga kryedemokrati Lulzim Basha, në bashkëbisedimin me gazetarët ku theksoi se edhe personat që kanë marrë këto masa, pas 25 prillit do të mbajnë përgjegjësi.

Gjobat për maskat – Sa i përket gjobave për mosmbajtjen e maskave të fytyrës, të cilat janë të detyrueshme edhe në ambientet e ardhshme, Basha tha: “Gjobat për Edi Ramën janë një mjet për të mbushur buxhetin, ky është një shtet gjobëvënës. Aq sa luftohet Covid-19 me autoblinda, aq luftohet edhe me gjoba. Asnjë masë e marrë në shkelje të të drejtave të qytetarëve nuk njihet nga ne. Jo vetëm kjo, por ata që i kanë marrë këto masa do të mbajnë përgjegjësi. Prandaj i ka kapur paniku se e dinë çfarë i pret pas 25 prillit”.