Spadafora i përgjigjet Ronaldos: Mos u trego arrogant dhe gënjeshtar

Sulmuesi Cristiano Ronaldo dhe Ministri i Sporteve në Itali, Vincenzo Spadafora, kanë vijuar me “luftën” e tyre në rrjetet sociale. Portugezi me anë të postimi në Instagramin e tij tha se nuk kishte thyer asnjë rregull dhe protokoll të sistemit shëndetësor.

“Po respektoj protokollin mjekësor, nuk e kam thyer në asnjë moment. Janë thënë gënjeshtra në lidhje me këtë temë“, – tha ylli i Juventusit. Ministri Vincenzo Spadafora nuk ia ka përtuar dhe ka reaguar menjëherë.

“Fama dhe aftësitë e mira për të luajtur futboll e disa lojtarëve të caktuar, nuk u jep të drejtë të tregohen arrogantë, gënjeshtarë dhe të tregojnë mungesë respekti ndaj institucioneve.

“Nuk kam ndërmend të vazhdoj deri në pafundësi me këtë çështje. E konfirmoj atë që thashë dje në lidhje me braktisjen që i bënë hotelit disa lojtarë të Juves, të cilët ishin të detyruar të qëndronin aty.

“Unë u bazova në komunikimet zyrtare me klubin bardhezi dhe autoritetet shëndetësore. Nuk do të flas më për këtë temë. I uroj shërim të shpejtë të gjithë personave që po luftojnë me koronavirusin“, – tha Spadafora për ANSA.