Conte ankohet para derbit me Milanin: Doja dhe një ditë tjetër për t’u përgatitur

Trajneri i Interit, Antonio Conte, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të derbit të Milanos, teksa ka folur për gjendjen e skuadrës dhe kohën e shkurtër të përgatitjes së sfidës.

“Ne kërkojmë të bëjmë maksimumin dhe të fitojmë në çdo ndeshje që luajmë, pasi çdo sukses vlerësohet me tre pikë. Derbi ka vështirësi më të mëdha, pasi kundërshtari është shumë i fortë. E ka mbyllur sezonin e kaluar në mënyrë perfekte dhe e ka nisur shumë mirë këtë aktualin. Megjithatë duam dhe duhet të bëjmë një ndeshje të mirë, ndonëse e njohim vështirësinë.

Do të doja të kisha pasur të paktën një ditë më tepër për të përgatitur këtë sfidë, por ka program ndërkombëtar dhe duhet të përshtatemi. Kështu që gjithçka duhet ta përgatisim në seancën e pasdites së sotme, ku do të punojmë pak në fushë dhe shumë me video e këshilla për futbollistët.

Ata që ishin angazhuar me kombëtaret janë kthyer dje, me Vidal e Sanchez që zbarkuan të fundit dhe sigurisht që janë të lodhur, pasi disa kanë luajtur 3 ndeshje në pak ditë, por kanë bërë mirë dhe duhet të shfrytëzojmë moralin e lartë”, deklaroi tekniku i zikaltërve.