FOTO/ Ndërron jetë, poeti dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Faslli Haliti

Poeti dhe shkrimtari i madh shqiptar Faslli Haliti ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare.

Një humbje e madhe kjo për botën e letrave shqip, pasi Haliti konsiderohej një ndër penat më të rëndësishme të letërsisë sonë.

Faslli Haliti ka lindur në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935.

Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973.

Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale.

Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht.

Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin ‘Naim Frashëri’ i Artë. Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës.

Është Nderi i Qarkut Fier.

Ka fituar çmimin e madh ‘Poeti më i mirë i vitit’ – 2017, dhënë nga Fondacioni Kulturor ‘Harpa’. Është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.