Vjosa Osmani tregon se çfarë e bashkon dhe e ndan me Albin Kurtin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, deputete e dalë nga listat e LDK-së, aktualisht e bashkuar me Lëvizjen Vetëvendosje, ka treguar se çfarë e ndan dhe e bashkon me Albin Kurtin.

Gjatë intervistës së dhënë për ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Osmani ka treguar se dallimi kryesor mes tyre është ai ideologjik.

Çfarë ju ndan politikisht me Albin Kurtin?

Na ndan ideologjia partiake. Kurti beson në ideologjinë e majtë, unë në atë të djathtë. Kemi pasur dallime edhe tek politika e jashtme. Nuk kemi pasur dallime edhe kur kemi garuar si kundërshtar, tek lufta ndaj korrupsionit dhe krimit. Edhe tek programi shëndetësor kemi pasur të njëjtin program.

Ne sot kemi një armik të përbashkët që është kapja e shtetit dhe deri sa të mundim këtë armik, dallimet mes njëri-tjetrit i kemi sheshuar.

Edhe pse ishit dy politikanët më të votuar nuk mundët të qeverisnit? A keni mësuar nga eksperienca LDK-LVV?

Unë mendoj se është e mirë që Kurti dhe unë nuk kemi hequr dorë nga parimet themelore që na kanë sjellë këtu. Se çfarë ka mësuar ai nga ato ditë, mund të përgjigjet vetë. Unë mund të them se kam mësuar shumë nga ato gabime. Kurdo që të jetë qeverisja e ardhshme mund të bëhen të dyja gjërat njëkohësisht, stabilimi i koalicionit dhe shkapja e shtetit.