‘Për cilën parti votoni’/ Me diplomë false, Drejtori i Ujësjellësit presion punonjësve për vota

Një tjetër rast skandaloz ka ndodhur sërish në administratën publike, ku drejtori i ujësjellësit të Rrogozhinës, u kërkon punonjësve të plotësojnë disa formularë me gjeneralitetet dhe numrin e kartës së identitetit, duke treguar edhe partinë, për të cilën do të votojnë.

Disa punonjës të ujësjellësit kanë reaguar duke denoncuar drejtorin Skënder Dedej dhe shprehen se nuk ka as arsimin përkatës për pozicionin që mban dhe e ka marrë pa konkurs.

“Unë punoj prej shumë vitesh në ndërmarrjen e Ujësjellësit këtu në Rrogozhinë. Me ardhjen e drejtorit të ri kanë filluar reprezaljet. Na bën presione për votat, na ka sjellë disa fleta t’i plotësojmë. Gjithë rrethin e krushqisë e  këto që t’i fusim për votime. Madje në një nga ato fletët  është specifikuar kë votoni. Na bën presione për punën. Kanë filluar presionet për gjëra të ndryshme. Për largim nga puna etj. Madje ai nuk ka as arsimin përkatës sepse është futur pa konkurs në atë pozicion”, tha një denoncues.

Emisoni ‘Stop’ ka invesituar dhe ka publikuar se drejtori Dedej, nuk e ka shkollën e lartë, që e ka të detyrueshme për vendin e punës.

Kur gazetari e pyet drejtorin për arsimin e lartë, Skënder Dedej thotë, se ka mbaruar Ekonomikun dhe jo Inxhinierinë Mekanike, siç është shkruar në vendimin e emërimit në vitin 2019.

Gazetari: Ne po interesohemi për postin tuaj të drejtorit, d.m.th sa kohë keni në këtë post? Është bërë me konkurs? Arsimin tuaj të lartë?

Drejtori UKRr, Skënder Dedej: Unë, sa për këtë, shkoni tek kryetarja e Bashkisë Rrogozhinë. Kam hyrë me konkurs me kryetaren e Bashkisë Rrogozhinë. Më kupton? Kam një jetë të tërë, që merrem me ujësjellësin.

Gazetari: A jeni specialist…? Ke arsim të mesëm, apo të lartë?

Skënder Dedej: Të lartë!

Gazetari: Për çfarë keni mbaruar?

Skënder Dedej: Unë kam mbaruar për ekonomist.

Gazetari: Ekonomist?

Skënder Dedej: Po …edhe jam marrë me specializime për ujësjellësat.

Mirëpo “Stop” verifikon në Bashkinë e Rrogozhinës procedurën e emërimit, ku thuhet, se drejtori është emëruar pa konkurs, ndryshe nga sa thotë, vetë zoti Dedej. Sipas informacioneve zyrtare Dedej thuhet se ka përfunduar shkollën e lartë për Inxhinieri Mekanike në vitin 1996 ndryshe nga ç’pretendoi ai para gazetarit.

Ai i kërkoi drejtorit Skënder Dedej dosjen e tij, për të parë shkollën e lartë dhe dosjen drejtori nuk e kishte në institucion, por në shtëpi.

Gazetari: Kemi një denoncim, që ju jeni pa arsimin e lartë, pa arsimin përkatës si drejtor, pa shkollën e lartë ,thjesht ta shofim që…

Drejtori UKRr, Skënder Dedej: Po mirë, ta përgatis edhe…

Gazetari: Ja e ke këtu në dosje. Këtu duhet ta kesh!

Drejtori UKRr, Skënder Dedej: Nuk e kam këtu. Po ashtu të shkoj t’jau bi pa problem fare, ose mund të vini edhe me mua në qëndër.

Gazetari: Po s’i ke këtu? Dosjet i ke diku në një zyrë tjetër? Po mirë hajde, po vijmë…të vijmë me makinën tënde?

Drejtori UKRr, Skënder Dedej: Po hajde me makinën time!