Pse ndryshoi mendim për maskat? Pipero tregon të vërtetën në SYRI TV

Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, i ftuar në Çim Peka LIVE, komentoi faktin se përse tani kërkohet që maska të jetë e detyrueshme edhe në publik, ndërsa në mars nuk vlerësohej se ishte e nevojshme.

“Unë e kam të vështirë të jap një përgjigje me pak fjalë pasi historia e Covid është më e gjatë. Gjatë kësaj kohe kemi vendime që mund të duken kontradiktore, por qëllimi i madh i përbashkët është që të minimizojmë përhapjen e virusit. Këto deklarata janë në përputhje me njohuritë relative që kemi pasur për Covid-19,” tha ai.

Sipas tij, virusi me shumë gjasa nuk jeton në ambientet e jashtme, pasi ai përhapet përmes stërklave të pështymës.

Por ai tha se maska duhet si një masë plotësuese.

“Konsiderohet si masë plotësuese për të shmangur atë pak mundësi kontakti të afërt. Maska duhet. Se si dhe sa, këtë e thonë më mirë specialistët e fushës.

Maskat duhet të bëhen detyrim ligjor në mjedise të mbyllura, këtë e kam thënë në këtë emision. Për ta bërë maskën mënyrë jetese, edhe pse nuk ka studime të plota që vërtetojnë efikasitetin e saj në rrugë pasi mundësia e transmetimit jashtë është shumë e vogël, ajo duhet të jetë e detyrueshme për të mundësuar një stil të ri jetese. Krahas distancës që është shumë thelbësore dhe higjienës,” tha Pipero.