Vlonjati i zhdukur prej 4 ditësh/ Prindërit: E kanë rrëmbyer dhe dëmtuar….

Fejzo dhe Mjaftime Ngucaj dyshojnë se djali i tyre është rrëmbyer.

Ata i kërkojnë policisë së Vlorës që të nisë kërkimet për gjetjen e djalit të tyre Ermal Ngucaj 40 vjeç, i zhdukur prej 4 ditësh.

“Djali nuk na përgjigjet në telefon. Kemi ndenjur në gjemba, pyes gruan ku është djali dhe e pyes nëse ke folur. Më thotë që kam folur që të hënën në darkë dhe nuk e di ku është. Atë ditë ndenja dhe në darkë shkova në Vlorë se mos ishte te shtëpia.

Vajta, hapa derën nuk ishte. Shkova pyeta në polici nëse e ka zënë për ngatërrim të rrugëve. Policia tha nuk e kemi arrestuar. Erdha lart. Dhëndri më tha që do të bëj denoncim. Një djalë më tha që makina e Ermalit është te kthesa që shkon në Mavrovë. Shkova, makina ishte e rregullt, rrobat e tij brenda. Edhe atletet brenda.

U thashë mos e prekni makinën, lajmëruam policinë, që mori makinën dhe nuk e dimë se çfarë bëri. Unë dyshoj se e kanë rrëmbyer djalin. Dyshoj se kanë gënjyer, e kanë nxjerrë nga makina dhe dëmtuar.

Telefonin e ka të mbyllur që të hënën në darkë. Unë dua djalin, të gjendet djali, të futet shteti të kontrollojë me imtësi se mund të jetë dëmtuar djali. E kanë rrëmbyer, e kanë marrë makinën e kanë çuar atje që të heqin gjurmët” u shpreh ai.