Nishani: Ata që firmosin penalizimin jashtë mekanizmave ligjor do të përgjigjen një ditë

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, e ka cilësuar si një çmenduri ligjore, kundravajtjen penale të vendosur nga Rama për mbajtjen e maskave me detyrim nga qytetarët.

Nishani shkruan se ‘Politika penale nuk mund të ekzekutohet përmes urdhërave të ekzekutivit por vetëm përmes kodit penal.’

‘Çmenduria nuk ka të ndalur !

Çmenduria, nuk ka as klasifikimin kur vjen prej sharlatanëve.

Rilindsit po ja kalojnë edhe vetë gangsterrëve stalinistë të rregjimit të Hoxhës, duke caktuar penalitete ligjore për kundravajtje penale apo administrative jo në kodet përkatëse por në urdhëresa ministrash e kryeministrash !

Politika penale nuk mund të ekzekutohet përmes urdhërave të ekzekutivit por vetëm përmes kodit penal.

Penalitetet administrative nuk mund të ligjërohen përmes dëshirës së pushtetarëve të rradhës por vetëm përmes kodit administrativ.

Çmenduria e sharlatanëve është krejt e veçantë nga çmenduria e fatkeqëve, por ndryshe nga fatkeqët, sharlatanët nuk përjashtohen nga përgjegjësia ligjore.

Ata që kanë firmosur akte të tilla për penalizimin e qytetarëve jashtë mekanizmave të ligjshëm do të përgjigjen ligjërisht një ditë.

Jo, pse kërkojnë mbajtjen e maskave nga qytetarët.

Eshtë koha dhe situata që qytetarë duhet t’i mbajnë maskat, të mbrojnë veten dhe të tjerët.

Por penalizimi i tyre jashtë kodeve dhe procedurave të kodifikuara konstitucionalisht është dhunim i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Historia ka treguar se ky është një krim i rëndë dhe se askush nuk ka shpëtuar pa u gjykuar kur ka ushtruar këtë dhunim edhe kur është fshehur pas akteve kolegjiale.

#TëRingremëShqipërinë