Liga Profesioniste, takim në Ministrinë e Financave për plotësimin e 4 kërkesave

Pasditen e sotme, në orën 17:00, përfaqësuesit e Ligës Profesioniste të Futbollit kanë takim në Ministrinë e Financave për të diskutuar në lidhje me kërkesat qe i janë adresuar qeverisë për ndryshimet ligjore.

Do të jetë një diskutim ku do flitet për të ardhmen e kampionatit shqiptar, i cili prej më shumë se një muaji vazhdon bojkotin, me klubet që duan plotësimin e 4 kërkesave.

Pas takimit do të mësohet nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për fillimin e kampionatit, apo bojkoti do të vazhdojë.

Nëse gjithçka do të shkonte sipas parashikimeve, duke nisur kampionati më 12 shtator, tashmë do të ishin ezauruar plot 5 javë nga Kategoria Superiore.

Dhe pas ndeshjes të Kombëtares më 14 tetor ndaj Lituanisë, do të ishin ditë të zjarrta në pritje të derbit të kryeqytetit, Tirana-Partizani, i parashikuar për më 17 tetor në kuadër të javës së 6-të.

Tashmë në mungesë të një akordi me qeverinë për 4 kërkesat e famshme, mungon edhe zgjidhja.

Skuadrat vazhdojnë të stërviten dhe mund ta themi me siguri që kjo është faza përgatitore më e stërgjatë që kanë zhvilluar ndonjëherë.

E megjithatë, për të mbushur boshllëkun e shtyrjeve të vazhdueshme, janë ngushëlluar disi me miqësoret.