Emigranti nga Maroku, hajdut në Tiranë, ja çfarë ndodhi në ambientet e një picerie

Një shtetas nga Maroku është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohet për vjedhje. Sipas policisë, 26-vjeçari me iniciale A.S u kap duke vjedhur një tjetër persona brenda ambienteve të një picerie në zonën e Bulevardit të ri.

 “Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit maroken A. S., 26 vjeç, pasi, tek Bulevardi i Ri, në ambientet e një picerie, i ka vjedhur telefonin shtetasit S. H. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet telefoni i vjedhur dhe 2 mjete prerëse (thika), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

-V. M., 23 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”.

-A. Sh., 29 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest në shtëpi” në ”Arrest në burg”, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërsa nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit V. L., 33 vjeç, i cili, me vendimin penal të Gjykatës së Shkallë së Parë Tiranë dhe vendimin penal të Gjykatës Apelit Tiranë, është dënuar me 40 ditë burg, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. M., 18 vjeç, pasi në rrugën “Maria Kraja”, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.