Basha: Rama nuk e pranon ftesën time për debat, ka frikë nga fjala ime

“Mos prisni që Rama të pranojë ftesën time për debat, ka frikë nga fjala ime”.

Këtë përgjigje dha kreu demokrat Lulzim Basha kur u pyet për një debat të mundshëm me kryeministrin Rama.

“Faktet janë ashiqare, Edi Rama duhet ta bëjë këtë debat me prokurorët dhe të thotë çfarë e ka shtyrë që javën e kaluar në mënyrë të përsëritur t’i paguajnë 2 mln euro mafies së inceneratorëve, ndërsa thirrjet për ndihmë të shqiptarëve sa vijnë e shtohen. Mos prisni që Rama të pranojë ftesën time për debat, ka frikë nga fjala ime”.

Basha theksoi se gjëja e parë që do të bëjë kur të vijë në pushtet është anulimi i kontratave të inceneratorëve.

“Anulimi i kontratave është minimumi, është gjëja e parë dhe e sigurtë, mekanizëm antimafia ndiq paranë kudo që e kanë çuar. Do ta ndjekim me agjencitë tona që do merren full time dhe partnerët strategjikë”.

Ai përsëriti apelin e tij për zbatimin e planit me 5 pika të PD-së, pasi situata po merr përmasat e një tragjedie njerëzore.

“Është një krizë, kolaps, domosdoshmëri urgjente për të ndërmarrë hapat që ne kemi formalizuar në planin me 5 pika. Dëshpërim, revoltë e neveri nga shpërfillja që u bëhet nevojave bazike të njerëzve. Gënjeshtra e mashtrime për kapacitetet me shtretërit.

Këta kanë gënjyer 6 muaj për pandeminë, shifrat, trajtimin e ndihmat në vend që të marrin masa vazhdojnë të gënjejnë 16 ditë kanë kaluar që nga kjo sallë kemi shpalosur planin me 5 pika për t’u përballuar me krizën që po thellohet. Fatura që vjedhja me inceneratorët do të jetë dyfish më e lartë se nuk e ndali as në kohën kur kishte më shumë nevojë”