Hetimet për virusin/ Policia kontrollon banesat e ministrit të Shëndetësisë dhe ish-kryeministrit

Policia franceze ka kontrolluar banesat e ministrit të Shëndetësisë, ish-kryeministrit dhe ish-ministres së Shëndetësisë.

Sipas AP, ky kontroll është pjesë e një hetimi të gjerë për mënyrën se si ka reaguar qeveria ndaj pandemisë së koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi kontrollet në orët e para të mëngjesit, ku përfshihet edhe banesa e ministrit aktual, Olivier Veran.

Një gjykatë speciale franceze ka urdhëruar një hetim mbi mënyrën se si është trajtuar kriza e koronavirusit nga qeveria.

Mes shtëpive të kontrolluara ishin edhe ato të ish-kryeministrit Edouard Philippe dhe ish-ministres së Shëndetësisë Agnes Buzyn.

Pacientët, mjekët, personeli i burgjeve, policët dhe të tjerë në Francë kanë depozituar në mënyrë të paprecedentë dhjetëra ankesa gjatë muajve të fundit, kryesisht për mungesën e maskave dhe pajisjeve të tjera.

Aksioni vjen një ditë pasi në Francë kanë nisur rregullat e reja të izolimit.