Kapllanaj u eleminua nga Nuredin Dumani, dyshohet se bashkë ekzekutuan Emiljano Ramazanin

Detaje të reja janë zbuluar lidhur mbi vrasjen e Emiljano Ramazanit, ngjarje e ndodhur më 20 korrik në Elbasan.

Sipas burimeve nga grupi hetimor njoftohet se ka përputhshmëri karakteristikash të Klevis Kapllanajt me autorin që qëlloi mbi 39-vjeçarin.

Pra dyshohet se Klevis Kapllanaj, i cili u ekzekutua më 15 shtator pranë shtëpisë së tij në fshatin Sinaballaj, është një nga autorët e ekzekutimit të Emiljano Ramazanit.  

Dyshohet po ashtu se ekzekutimin Kapllanaj e ka bërë në bashkëpunim me Nuredin Dumanin, me të cilin kanë qenë miq të ngushtë.

Por pas ekzekutimit që dyshohet se kanë kryer bashkë, marrëdhëniet e tyre janë përkeqësuar për një sasi parash.

Dyshohet se pikërisht ky konflikt i lindur mes tyre, të jetë bërë shkak që Nuredin Dumani ta ketë ekzekutuar shokun e tij për të humbur gjurmët në lidhje me ekzekutimin e Emiljano Ramazanit.

Klevis Kapllanaj dyshohet të jetë edhe personi që vendosi armën në servisin në pronësi të Albert dhe Seit Manahasës në qytetin e Peqinit.