Kombëtarja portugeze e shqetësuar, Ronaldo darkoi me shokët e ekipit mbrëmjen e djeshme

Kombëtarja e Portugalisë është tepër e shqetësuar pas infektimit të Cristiano Ronaldos me koronavirus.

Natën e kaluar "ylli" i Juventusit, ende i pavetëdijshëm për infektimin, postoi një foto në Instagram, në të cilën ai shfaqej duke darkuar me shokët e ekipit kombëtar. Pranë tij ndodhej Pepe , një veteran i mbrojtjes luzitane, ndërsa në të djathtë të tij ishte Cancelo , dikur i Juve dhe Inter, tani te Manchester City. "Të bashkuar brenda dhe jashtë fushës " , shkroi Ronaldo në postim.

Sot të gjithë anëtarët e kombëtares portugeze u testuan negativisht në një kontroll të parë në funksion të ndeshjes së nesërme kundër Suedisë në Ligën e Kombeve, por ekziston shqetësimi për kohën e inkubacionit të virusit, i cili mund të shfaqet pas disa ditësh. Franca gjithashtu është e shqetësuar, pasi u përballën me Portugalinë të dielën e kaluar, me Ronaldon në fushë për 90 minuta.

Kujtojmë që te Portugalia janë të infektuar me koronavirus, Jose Fonte dhe Anthony Lopes dhe së fundmi Cristiano Ronaldo.