Shqiptari kërcënonte me pistoletë në kokë shqiptaren, për të prostituuar

Një shqiptar është arrestuar nga Guardia di Finanza pasi ka rrahur e kërcënuar me pistoletë një 26-vjeçare, edhe ajo nga Shqipëria, në vështirësi ekonomike e pa shtëpi, për ta detyruar të prostituonte në rrugë në Parma.

Pasi fitoi besimin e vajzës, 31-vjeçari e detyroi të dilte në rrugë, duke e kërcënuar vazhdimisht me pistoletë në kokë.

Kjo histori vazhdoi deri në dhjetorin e kaluar, kur vajza vendosi të kërkonte ndihmë, duke bërë denoncim te Guardia di Finanza e Altamuras. Që atëherë 31-vjeçari e përndiqte, për të zbuluar ku qëndronte e me kë takohej. Ai nisi të persekutonte edhe një tjetër shqiptar e banues në Altamura, i cili kishte strehuar vajzën në shtëpinë e tij.

Më 23 shkurt, ai shtiu disa herë me pistoletë drejt derës së banesës të shqiptarit tjetër, për ta kërcënuar e frikësuar; ndërkohë më 27 qershor e sulmoi dhe e goditi me çekiç, duke i shkaktuar lëndime.

Ai tashmë do të përballet me një numër të madh akuzash, që nga shfrytëzimi i prostitucionit, mbajtja në kufijtë e skllavërisë, armëmbajtje pa leje, kërcënim serioz, dhunë shtëpiake në tentativë e plagosje personale.