Basha: Presion mbi Ramën, të zgjidhë qesen e t'ua japë paratë njerëzve, jo një grushti hajdutësh!

Lulzim Basha, kreu i opozitës, i ka bërë thirrje medias në veçanti sot, të ushtrojë presion maksimal që të rritet presioni mbi qeverinë për të ndihmuar financiarisht shqiptarët që po vuajnë nga kriza e pandemisë dhe ta detyrojë kreun e saj "të zgjidhë qesen e t’u japë paratë njerëzve”.

Basha bëri një lutje dhe një thirrje në konferencën e sotme për shtyp:

“Ju lus që ju si media të bëni detyrën tuaj e të tregoni se Shqipëria i ka mundësitë të përballet, por Edi Rama ka zgjedhur të mos përballet me pandeminë, të mos marrë masa për të mbrojtur njerëzit, por të vazhdojë vjedhjen, batërdinë, gënjeshtrat, talljet. Sa më shumë t’i biem kësaj këmbane, aq më shumë do të rritet presioni që ta ndalim këtë çmenduri, këtë papërgjegjshmri, këtë hajdutëri, babëzi që po na kushton jetë njerëzit.

Sa për ndjekje penale, është bërë prej kohësh,  jo për një por për qindra, por nuk e zgjidh problemin ajo sot. Sot është momenti të ushtrojmë të gjithë presionin maksimal.

Nuk është thesi i tij i parave!

Nuk është qesja e tij e parave! Janë paratë tuaja!

Ju mor, ju i keni paguar, taksë, TVSH!

Sa paguani gjithsecili prej jush këtu dhe shqiptarët që na ndjekin?! Janë paratë tuaja, nuk mund t’i marrë dhe t’ia çojë inceneratorëve!

Nuk mund t’i marrë dhe t’ia çojë me pesëfishin e çmimit kontraktorëve të rrugëve!

Nuk mund t’i vjedhë në këtë mënyrë sot, kur ka kaq shumë nevojë shqiptari për ndihmë!

T’i ndërgjegjësojmë të gjithë sot çfarë po ndodh, se gjithë ky përkeqësim sot nuk po ndodh si dorë e Zotit apo prej virusit, por për shkak të një virusi shumë më të madh që është papërgjegjshmëri kriminale e njeriut që ka qesen e parave dhe përgjegjësinë e ligjit që t'ua japë njerëzve.

Ta zgjidhë qesen e t’u japë paratë njerëzve, jo një grushti hajdutësh!" theksoi me forcë kryetari i opozitës.