VIDEO/ Basha: E besoj që Rama nuk e ka dëgjuar Planin me 5 pika, se ka vite që s'i dëgjon shqiptarët

Pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama se ai nuk kishte dijeni për ndonjë plan rimëkëmbjeje të ekonomisë prej krizës së shkaktuar nga pandemia, ka reaguar kryetari i PD-së Lulzim Basha i cili tha sot se po, e besonte se Rama nuk e kishte dëgjuar Planin me 5 pika.

Basha theksoi se mund të ishte i vetmi në Shqipëri ndoshta që e besonte, sepse Rama gjithë këto vite nuk i kishte dëgjuar kurrë shqiptarët dhe as problemet e tyre

“Ditët kalojnë dhe njerëzit nuk marrin asnjë ndihmë dhe asnjë zotim nga qeveria për t’i ndihmuar, - tha Basha. - Sot kemi marrë të tjera të dhëna tronditëse që tregojnë se ekonomia po zhytet dhe numri i të papunëve po shtohet me qindra në ditë, se numri i bizneseve që po mbyllen po rritet krahasuar me muajt e tjerë të këtij viti.

Shëndetësia është në kufijtë e kolapsit dhe personeli ka arritur në pikën më të ulët përsa i përket aftësive për të përballuar rritjen e infeksioneve nga COVID-it.

Siguria e fëmijëve dhe e mësuesve në shkolla është lënë në mëshirë të fatit.

Qeveria dhe Kryeministri nuk kanë marrë asnjë masë për të korrigjuar problemet e mëdha që nga furnzimi me ujë për të larë duart e deri tek pajisja me maska e dezinfektant.

Kjo është gjendja sot në përkeqësim të thellë.

Ndërkohë pyetjes suaj sot paradite nëse ka ndërmend ta zbatojë Planin me 5 pika që ne kemi shpalosur prej dy javësh, Rama u është përgjigjur se nuk ka dëgjuar për këtë plan.

Në fakt unë  e besoj!

Pavarësisht se shumica dërmuese juaja këtu nuk e besojnë dhe shumica e shqiptarëve nuk e besojnë, unë zgjedh ta besoj që nuk e ka dëgjuar se nuk ka ditë por javë, muaj, vite që Rama nuk dëgjon njerëzit nuk dëgjon prindërit që kanë humbur vendin e punës dhe nuk iu ka mbetur asnjë alternativë, nuk dëgjon biznesin, sipërmarrjen që tani po i dorëzohet falimentimit, nuk dëgjon mjekët.

Nuk dëgjon mësuesit për gjendjen katastrofike në shkolla.

Nuk dëgjon shqiptarët që ditë për ditë nga terminali i autobuzëve ndërkombëtarë mbushin autobusët e kur nuk dëgjon asnjë shqiptar natyrisht që nuk dëgjon as planin tonë, rrugëdaljen për t’u përballur me këtë krizë, ndaj ndoshta - duke rrezikuar të jem i vetmi në Shqipëri e besoj që nuk e ka dëgjuar planin, ndonëse nuk ka mbetur shqiptar pa e dëgjuar falë raportimit tuaj si media."