Edvini, dekorimi i heronjve dhe ligji i Të Ngjashmëve

Ditët e fundit, Edi Rama ka hapur në vend një polemikë të habitshme, por edhe tejet lënduese për çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij politike.

Ai është vërsulur kundër dekorimeve nga Presidenti i Republikës, në ushtrim të funksionit të tij të ndereve të vendit, të disa dëshmorëve dhe heronjve të kombit shqiptar, konkretisht Avni Rustemit, Vasil Laçit, Vojo Kushit etj.

Reagimi i Ramës ndaj këtyre dekorimeve, nën pretekstin se nuk dekorohen të vdekurit apo të dekoruarit e vdekur - është absurd dhe qesharak.

Me këtë reagim ai ka ngjallur hamendje nga më të shumtat.

Disa mendojnë se e ka nga xhelozia, të tjerë shprehen se ai që i ka vendosur Çelësin e Artë të kryeqytetit, Bregoviçit - autorit të këngës “Kallashnikov”, himnit të masakrave të serbëve mbi shqiptarët e Kosovës, nuk mund të pranojë të dekorohen dëshmorët apo heronjtë e kombit shqiptar.

Të tretë mendojnë se Rama druhet se këto dekorime i rrisin pikët në publik, Presidentit dhe kjo mund të përkthehet në pakësim edhe më të madh të votave për të dhe partinë e tij, që është kthyer në partinë e drogës, trafiqeve, vjedhjeve dhe korrupsionit dhe nuk e lidh asgjë me të rënët e kombit.

Në të gjitha këto mendime mund të ketë copëza të vërtetëzash.

Por e vërteta e madhe është diku tjetër. 

Ajo qëndron tek ligji i Të Ngjashmëve, pra similia similibus e latinëve dhe kjo e shfazon dhe tmerron Ramën në atë shkallë sa e ka shtyrë të humbasë edhe mendjen dhe ndërmarrë një betejë të hapur kundër heronjve dhe dëshmorëve dhe dekorimit të tyre pas vdekjes.

Kështu, Avni Rustem tani atij i duket çdo emigrant shqiptar. Ndaj dhe dekorimin e Avni Rustemit, Rama e merr si një grishje apo apel për çdo emigrant, që për shkak të akteve të tij të tradhtisë së lartë, ndarjes së Kosovës, shitjes së detit Greqisë, spastrimit etnik të Shqipërisë, të jetë gati t’i rezervojë atij duke dalë apo duke hyrë në ndonjë hotel jashte vendi, atë që Avni Rustemi i rezervoi Esat Pashës.

Rama ndjehet kaq i huaj për këtë popull sa që tmerrohet nga emri i Vasli Laçit dhe çdo i ri këmbësor apo i ulur në trotuar kur ai kalon i duket nje Vasil Laç, i cili nuk shkoi në Romë, por e gjuajti në rrugët e Tiranës, Perandorin e Italisë, Abisinisë dhe Shqipërisë, Viktor Emanuelin.

Rama shpërfytyrohet nga dekorimi i Vojo Kushit sepse bazuar në ligjin e të ngjashmëve, mendon se ndonjë të riu “kokëkrisur” të frymëzuar nga Vojo Kushi, makina e blinduar e Edvinit mund t’i duket si autoblindë pushtuesi dhe do të vërsulet si Vojua mbi të.

Me këtë rast dua t’i them Zografit bis se nuk të kanë faj as Avni Rustemi, Vasil Laçi apo Vojo Kushi pse ti me aktet e tradhtisë së lartë kombëtare, drogën, vjedhjet, je shndërruar në figurën më të urryer pas Enver Hoxhës për shqiptarët.

25 prilli po vjen, koshi i plehrave të historisë të pret!