Kodi Zgjedhor/ Rama: Meta ta firmosë ose ta kthejë, ne do e votojmë njësoj

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Marrëveshja e 5 Qershorit është respektuar nga mazhoranca dhe Presidenti Ilir Meta duhet ta firmosë ose ta kthejë sa më parë, pasi, sipas tij, nuk ka shumë kohë për implementimin.

“5 qershori është respektuar dhe 30 qershori është respektuar. Nuk ka kohë më për të humbur. Presidenti bën mirë që ta firmosë ose ta kthejë sa më parë, në mënyrë që të vazhdojë implementimi sepse koha për implementimin është e shtrënguar dhe ne do ta votojmë siç e kemi votuar”, tha Rama.

Kur u pyet mbi planin me 5 pika për koronavirusin që Partia Demokratike i ka kërkuar qeverisë që ta zbatojë, Rama tha shkurt: “Nuk kam ide për asnjë plan me 5 pika”.

Më herët, presidenti Ilir Meta, i ka bërë apel edhe një herë tjetër kryeministrit Edi Rama që të respektojë marrëveshjen e “5 qershorit”, pasi sipas tij, nëse nuk e bën këtë gjë, “do të ketë jo vetëm një president “të shkalluar”, por edhe tre milionë shqiptarë “të shkalluar” që do shkallmojnë me votë dhe çdo mjet legjitim ëndrrat e tij për të blerë e trembur popullin shqiptar për një grusht oligarkësh e banditësh”.