Liga e Kombeve/ Franca dhe Portugalia bëjnë ‘paqe’, Italia frenohet nga Polonia

Kampionia në fuqi e Botës përballë kampiones në fuqi të Europës.

Mbappe e Griezmann kundër Cristiano Ronaldos dhe Joao Felix.

Një 90-minutësh perfekt për të dhuruar spektakël, por që fatkeqësisht nuk pati qoftë një gol.

Francë-Portugali, e zhvilluar në “Stade de France”, e vlefshme për Grupin 3 në Divizionin A të “Nation League”, përfundoi 0-0, edhe pse rastet, sidomos në fundin e takimin, nuk munguan.

Të dyja skuadrat kryesojnë me nga 7 pikë, por luzitanët janë të parët falë golaverazhit më të mirë.

Me të njëjtin rezultat 0-0 u mbyll edhe përballja mes Polonisë dhe Italisë në Grupin 1, me të kaltrit që humbën një shans për t’u shkëputur në krye, por gjithsesi mbeten të parët me një pikë më shumë se Holanda dhe Polonia.

Në Divizionin B, Izraeli u mposht 1-2 nga Republika Çeke, Irlanda e Veriut gjithashtu humbi në shtëpi 0-1 me Austrinë, Rusi – Turqi përfundoi 1-1, ndërsa Skocia fitoi 1-0 me Sllovakinë.

Serbia, çuditërisht dështoi të merrte pikë në shtëpi përballë Hungarisë me rezultatin 0-1.