VIDEO/ Kosova ‘s’e ngre dot kokën’, Sllovenia i shkakton tjetër disfatë

Kosova në krizë rezultatesh. Pas humbjes në gjysmëfinalen e “play off”-it ndaj Maqedonisë së Veriut, “Dardanët” dështuan të merrnin pikë edhe ndaj Sllovenisë (0-1) në “Fadil Vokrri”, duke i çuar drejt zeros mundësitë për ta mbyllur Grupin 3 të Divizionit C të “Nations League” në vendin e parë.

Me vetëm 1 pikë pas raundit të tretë (Greqia dhe Sllovenia kanë nga 7 pikë), është praktikisht jashtë realitetit të besosh te mrekullia (Kosova me Slloveninë dhe Greqinë do të luajë jashtë fushe).

Goli i shënuar nga Vuckic në minutën e 22-të, pas një rreshtimi të gabuar të mbrojtjes, vendosi fatin e këtij takimi, me Kosovën që e pati të pamundur të kthente rezultatin.

Trajneri Challandes në krahasim me sfidën ndaj Maqedonisë së Veriut, kishte bërë dy ndryshime në emra, por edhe në rreshtim.

Në vend të Kolollit, që mori vendin e Nuhiut në majë të sulmit, u aktivizua Paqarada, ndërsa Hadërgjonaj u tërhoq në pozicionin e Vojvodës, për t’i bërë vend Zhegrovës.

Ndryshime që nuk ndikim të madh në lojë, kushtëzuar edhe nga goli i shpejtë i sllovenëve.

Gjatë pjesës së parë, rasti më i vështirë për portierin Oblak ishte goditja e fortë e Celinës, që u devijua nga “gardiani” i Atleticos së Madridit.

Rezultuan të dështuara të gjithë përpjekjet e “Dardanëve” në pjesën e dytë, pasi mbrojtja e Sllovenisë ishte hermetike.

As hedhja në fushë e Lirim Kastratit e më vonë i Rashanit e Musliut nuk u pasua me golin e shumëdëshiruar, me “Dardanët” të detyruar të pranonin humbjen e radhës, që praktikisht i nxjerr jashtë garës për vendin e parë.