Mesazhi i Metës: Tradhtarët e gjakprishurit kurrë nuk do t’ia dalin të cënojnë dinjitetin heronjve

“Tradhtarët dhe gjakprishurit kurrë nuk do t’ia dalin të cënojnë dinjitetin dhe veprën e Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit që ndriçon rrugën tonë drejt së ardhmes së sigurt europiane.”. Kështu deklaroi presidenti Ilir Meta gjatë një vizite në Shkodër, duke shigjetuar kështu politikën shqiptare.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ kreu i shtetit shprehu mirënjohje për kontributin e përjetshëm të 5 Heronjve të Vigut dhe i të gjithë Dëshmorëve të Atdheut.

“Sa herë e vizitoj Shkodrën, nuk mund të mos ndalem tek monumenti i “5 Heronjve të Vigut” për t’u përulur me respekt e nderim të thellë para jetës e veprës së bijve më të shquar të saj, të Lezhës dhe Mirditës, të cilët dhanë jetën për Çlirimin e Atdheut.

Populli i Shkodrës dhe populli shqiptar nuk do t’i harrojë kurrë bijat dhe bijtë e saj më të mirë, të cilët sakrifikuan gjithçka për Shqipërinë e lirë, sovrane dhe demokratike. Tradhtarët dhe gjakprishurit kurrë nuk do t’ia dalin të cënojnë dinjitetin dhe veprën e Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit që ndriçon rrugën tonë drejt së ardhmes së sigurt europiane. I paharruar dhe i përjetshëm kujtimi i 5 Heronjve të Vigut dhe i të gjithë Dëshmorëve të Atdheut! ????????”, thuhet në mesazhin e Metës.