Si iku nga Shqipëria Klodian Gradeci, një ditë para se ta arrestonin. Lidhjet me ish-ministrin e Ramës

Pak ditë më parë në media u trumbetua me bujë një aksion i ndërmarrë nga Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim madje dhe me FBI-në që coi në pranga 5 zyrtarë të Agjensisë së Burimeve Natyrore, por që me një hije të fortë dyshimi për dekonspirim.

Kjo për faktin se personi më i kërkuar, e që do të duhej të ishte i pari që të jepte llogari për abuzimin me 1.4 milionë dollarëve, drejtori i Hidrokarbureve Klodian Gradeci, ishte arratisur nga Shqipëria vetëm pak orë para nxjerrjes së fletëarresteve.

Sipas Mapos, në sistemin TIMS Gradeci është larguar në drejtim të Turqisë, vetëm një ditë para se prokurori Julian Xhengo të firmoste fletëarrestet për 7 zyrtarë të AKBN-së, si dhe dy biznesmenë.

Gradeci, i cili ka mbajtur postin e drejtorit të Hidrokarbureve, duket se nuk e ka aspak të pastër CV-në e tij sa i takon skandaleve, dhe hijeve korruptive, që për çudinë e të gjithëve, e sigurisht për fatin e tij të mirë, duket se ka mundur që të shpëtojë pa asnjë gjemb në këmbë, kjo edhe për lidhje shumë të forta me një prej ish-ministrave të qeverisë së Edi Ramës.

Një tjetër emër që i shpëtoi të njëjtit aksion është dhe ai i Isuf Berberit, një biznesmen në fushën e hidrokarbureve, i cili ka në pronësi kompaninë  “Phoenix Petroleum”, që ka pasur si detyrë që të investonte në puset e naftës, duke marrë para për këtë, e që në fakt nuk e ka bërë.

Dëmi që ka pësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë AKBN nga veprimet e kundraligjshme të punonjësve të saj, me në krye titullarin Klodian Gradeci, është 1.472.766 USD, të cilat më pas sollën dhe një ndjekje të çëshjet dhe nga hetues amerikanë.

Në fakt emri i Gradecit nuk është i panjohur, pasi teksa mbante më herët detyrën e drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Klodian Gradeci dha dorëheqjen pas skandalit me DH Albania, një kompani fantazmë e cila fitoi tenderin prej 12 milionë eurosh për linjën e transmetimit të energjisë Burrel-Peshkopi.

Theksojmë këtu se e njëjta kompani falsifikoi dokumentet si e regjistruar në shtetin Delaëare në Shtetet e Bashkuara dhe fitoi tenderin 20 milionë euro të Unazës së Madhe, gjë që çoi vetëm në hetimin e një personi të dorës së dytë, edhe pse dyshimet ishin se pas kësaj megaafere të qendronte kompania Gener 2 në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj.

Pasi skandali mori përmasa të mëdha asokohe, Gradeci u largua nga detyra që mbante, dhe vetëm pak kohë më pas iu besua një tjetër detyrë të rëndësishme, në krye të AKBN. Një vit më pas ai shpallet person në kërkim për një tjetër skandal në zyrën e radhës të shtetit.

Padyshim që pyetja që ngrihet në këtë rast është: kush po e mbron kaq shumë Klodian Gradecin, dhe kush e lajmëroi vetëm një ditë përpara se të priteshin fletëarrestet? Duket se të gjitha përgjigjet të çojnë lart në zyrat e shtetit dhe në majat e politikës, por për fakte të tjera rreth kësaj çështje do të na duhet të presim ditët në vijim…