Vërshim kërkesash për azil në BE, Pampuri ironizon 'gaztorin': Dështimin s’mund ta mbulojnë këngëtarët, miset, valltaret

Vala e rekrutimeve me bujë, të artistëve, aktorëve, këngëtarëve në Partinë Socialiste, me video, foto, ngjyra, deklarata nga ana e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, duket se nuk po jep efektin e dëshiruar tek qytetarët, pasi lajme të zymta publikohen nga institucione ndërkombëtare.

EASO, Zyra Europiane e Azilantëve,  ka bërë të ditur këto ditë se numri i azilkërkuesve shqiptarëve është rritur ndjeshëm dhe për nga numri i popullsisë, shqiptarët që arratisen nga vendi i tyre,  renditen të dytët në botë pas sirianëve që arratisen nga lufta.

Demokratja Oriola Pampuri e ka komentuar këtë fakt sot: “Për fatin e keq të gaztorëve, "dielli nuk mbulohet me shoshë", - shkruan Pampuri. - Dështimin nuk mund t'ua mbulojnë më as këngëtarët, as miss-et, as showmenet, as valltaret.

Tek e fundit secili prej tyre është i respektuar në punën e profesionin e tij a të saj, por e gjitha kjo zbehet kur vihet në funksion të tjetërsimit të realitetit.  Realiteti është krejt ndryshe dhe shqiptarët nuk mund të gënjehen më,” nënvizon Pampuri dhe publikon statistikat e EASO."